Tiranë, 11 maj, NOA – Ditët kalojnë, e bashkë me to, shtohet edhe zgjatja në kohë e grevës së urisë së 22 deputetëve socialistë dhe 180 mbështetësve të tyre, e cila ka inicuar që mbrëmjen e 30 prilli pas një proteste të madhe të opozitës.
Kështu, kjo nismë ekstreme e socialistëve hyn sot në ditën e saj të dymbëdhjetë, në një kohë kur gjatë këtyre ditëve janë shënuar mëse 22 raste të dërgimit në spital të grevistëve, pasi kanë rezultuar në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ndërkaq, kryesocialisti Edi Rama, ka paralajmëruar se në datën 14 maj do të zhvillohet një protestë tjetër e madhe e opozitës, kurse dje janë bërë publike gjashtë kushtet e vendosura nga grevistët për të dalë nga çadrat e tyre ku janë ngujuar prej 12 ditësh.
Nga ana tjetër, pritet që sot gjatë takimit të përbashkët të Këshillit të Stabilizim-Asocimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, të mund të lëshohet ndonjë qëndrim për situatën politike në vend, ndërsa në dokumentin final të lëshuar prej këtij organizmi, pritet të dalë qëndrimi i 27 vendeve anëtare të Bashkimi Evropian në lidhje me opinionin që do dorëzohet për dhënien ose të statusit të vendit kandidat të Shqipërisë.
n.e/NOA