English

Helmohen nga uji i pijshëm, 170 persona nga Ballshi shtrohen në spital

Ballsh, 11 maj, NOA – Një alarm helmimi prej ujit të pijshëm ka mbërthyer qytetin e Ballshit, ku numërohen mëse 170 persona të prekur të cilët janë shtruar në spital dhe aktualisht janë duke marrë ndihmë mjekësore.

Vetëm gjatë mbrëmjes së djeshme mbi 102 persona përfunduan në spital si pasojë e problemeve që shfaqen në mënyrë të menjëhershme, përveç 50 personave të tjerë të cilët u paraqitën ditën e dielë dhe 25 të tjerë ditën e shtunë.

Ndërkaq, sipas të dhënave më të fundit, raportuar nga korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA, janë mëse 20 persona të tjerë, të cilët kanë përfunduar në shtretërit e spitalit për kurim mjekësor gjatë orëve të natës.

Mjekët lokalë kanë sqaruar se shenjat e tyre janë kryesisht të vjella si pasojë e helmimit dhe për këtë, atyre u janë injektuar serume.

Nga ana tjetër, bëhet me dijeni paraprakisht se një ekip i ministrisë së Shëndetësisë do të kryejë analizat përkatëse për të evidentuar shkaqet e vërteta të helmimit masiv të popullatës në Ballsh.

n.e/NOA

KOMENTE