Irani Përmen Një Takim Të Mundshëm Ashton/Jalili Në Turqi
TEHERAN, 11 maj /ATSH-AFP/ - Një takim mes negociatorit iranian të çështjes bërthamore Saïd Jalili dhe përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Çështjet e Jashtme Catherine Ashton mund të zhvillohet së afërmi në Turqi, konfirmoi sot Ministria e Jashtme iraniane.
"Ashton ka kërkuar disa herë një takim të tillë me Jalilin dhe Irani pranoi. Nuk kemi kundërshtim që ky takim të zhvillohet në Turqi, por nuk është caktuar ende një datë", deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Ramin Mehmanparast.
"Meqë vetë Ashton e ka kërkuar këtë takim, po presim të mësojmë se cilat do të jenë çështjet që ajo do të trajtojë", shtoi zëdhënësi i pyetur gjatë konferencës së tij të përjavshme për rendin e ditës së një takimi të mundshëm Ashton/Jalili.
Dje në Bruksel, Ashton u shpreh e gatshme të diskutojë drejtpërdrejt me Iranin për programin e tij të kundërshtuar bërthamor. "Nëse Irani kërkon të kontaktojë me mua drejtpërdrejt për të më propozuar bisedime të vërteta lidhur me kapacitete në fushën e armëve bërthamore, do të isha e lumtur të diskutoja për këtë me kolegët e grupit 5+1", deklaroi ajo.
"Kushti për këtë takim është që në të të trajtojtohet në mënyrë specifike dhe ekskluzive çështja e armëve bërthamore të Iranit", vazhdoi Ashton, e cila u shpreh se është pyetur në mënyrë jozyrtare nga disa "vende të treta" lidhur me bisedime të drejtpëdrejta me Iranin.
Sipas një zëdhënësi, Ashton i ka kërkuar ministrit të Jashtëm turk Ahmet Davutoglu të kontaktojë me iranianët për të caktuar një takim të mundshëm në Turqi.
Grupi 5+1, bashkëbiseduesi kryesor i Iranit për çështjen bërthamore, përfshin pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së: Kina, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Rusia, Shtetetet e Bashkuara dhe Gjermaninë.
Perëndimi dyshon se Irani po përpiqet të pajiset me armën bërthamore dhe kërcënohet me një rezolutë të re të OKB-së e shoqëruar me sanksione.
/I.Pu.