English

Islandë - Vullkan - Reja Po Drejtohet Për Në Juglindje Të Francës

BRUKSEL, 11 maj /ATSH-AFP/ - Një re hiri vullkanik që ndodhet në lartësi të mëdha mund të zhvendoset pasdite drejt verilindjes, duke kaluar mbi Gadishullin Iberik dhe juglindjen e Francës, megjithatë pa shkaktuar mbylljen e aeroporteve të tjera, paralajmëroi sot Eurocontrol. Organizata evropiane e lundrimt ajror flet për rreth 29 000 fluturime të kryera sot në qiejt e e Evropës, gjë që është afër normales. Sipas një analize të bërë në orën 8:30 GMT, disa zona përqendrimi të reve në lartësi të mëdha ekzistonin mbi jugun dhe qendrën e Spanjës, përfshirë ishujt Kanarie dhe Madere. Aktualisht të gjitha aeroportet e ishujve Kanarie janë mbyllur, si dhe disa aeroporte në jugperëndim të Spanjës dhe Marokut. Por, retë e hirit në lartësi të mëdha po shpërndaheshin në mes të Atlantikut Verior, gjë që lehtëson trafikun e fluturimeve transatlantike, të detyruar këto ditë të shmangin trajektoret e tyre. Vullkani islandez Eyjafjöll ka rifilluar që të enjten të hedhë sasi të mëdha hiri. Aktiviteti i tij ka paralizuar trafikun ajror në Evropë për rreth një javë në mes të muajit prill. Grimcat që ndodhen në renë e hirit mund të dëmtojnë funksionimin e mirë të avionëve në fluturim, gjë që i bën autoritetet të ndalojnë fluturimet si masë parandaluese. /I.Pu.
KOMENTE