English

Kequshqyerja/ Femijet Nen 5 Vjec, 19 Përqind Të Shkurtër Për Moshën

TIRANË, 11 Maj/ATSH-Eriola Çuko/ - Gjendja e ushqyerjes së fëmijëve është përmirësuar gjatë 5 viteve të fundit, por megjithatë, të dhënat tregojnë se 19% e fëmijëve nën 5 vjeç, janë të shkurtër për moshën. "Ushqyerja lidhet ngushtë me gjendjen shëndetësore dhe mirërritjen e fëmijës si dhe me vdekshmërinë foshnjore", u shpreh sot për mediat Gazmend Bejtja, drejtor i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë. Të dhënat e studimit të fundit Demografik dhe Shëndetësor (2008-2009) tregojnë që tek fëmijët e moshës 0-6 muaj ka probleme të mirërritjes, të cilat lidhen me ushqyerjen. "Rreth 5 % e tyre kanë peshë më të vogël se ç'është e pritshmja, rreth 19 % gjatësi më të vogël për moshën dhe 9 % e tyre kanë raport të drejtë mes peshës dhe gjatësisë", tha Bejtja. Sipas Studimit Demografik dhe Shëndetësor, prapambetja në gjatësi tregon kequshqyerje kronike dhe është më e zakonshme në zonën malore (28 përqind) sesa në Tiranë (qytet) dhe në zonat qendrore dhe bregdetare. Fëmijët në indeksin më të ulët të pasurisë kanë dy herë më tepër mundësi që të jenë të shkurtër (13 përqind) sesa ata të indeksit më të lartë të pasurisë (27 përqind)". Nga ana tjetër barra e dyfishtë e kequshqyerjes tregohet edhe me praninë e mbipeshës në 22 % të fëmijëve nën 5 vjeç. Kjo, sipas Bejtjas, lidhet me shumë faktorë, ndër të cilët dhe me ushqyerjen me gji. "Rekomandimet e organizatave shëndetësore tregojnë se nënat duhet ta ushqejnë me gji fëmijën e tyre deri në moshën 6 muaj, se dihet që qumështi i gjirit është ushqimi më i mirë dhe që mbron nga infeksionet", tha ai. Në Shqipëri, sipas të dhënave nga Studimi demografik dhe Shëndetësor, 96 % e fëmijëve janë ushqyer të paktën një herë me gji dhe 39 % e fëmijëve 0-6 muajsh ushqehen vetëm me qumësht gjiri. Të paktën 25 % e fëmijëve të moshës 6-23 muaj që ushqehen me qumësht gjiri, janë të ushqyer, sipas praktikave të rekomanduara të Ushqyerjes së Fëmijëve dhe Foshnjave (UFF), krahasuar me 11 % të fëmijëve që nuk ushqehen me gji./n.m/
KOMENTE