Tiranë, 11 maj, NOA / Blerina Ahmetaj - Rreth 28 përqind e fëmijëve 0 deri në 5 vjeç në zonën e Veriut, si edhe 18 përqind e tyre në Shqipërinë e Mesme dhe atë të Jugut, nuk kanë parametrat normale të zhvillimit, pasi rezultojnë më të shkurtër se normalja.
Sipas specialistëve të ministrisë së Shëndetësisë, shkaku kryesor i kësaj është kequshqyerja, e cila vihet re më shumë në zonat e varfra.
“Si pasojë e kequshqyerjes, fëmijët e moshës 0 deri në 6 muaj shfaqin problem të mirërritjes. Rreth 5 përqind e tyre kanë një peshë më të vogël, 19 përqind kanë një gjatësi më të vogël për moshën, ndërsa 9 përqind kanë një raport të peshës me gjatësinë nën atë që pritet. Kequshqyerja ndikon gjithashtu dhe në obesitetin e fëmijëve dhe ky numër në Shqipëri paraqitet mjaft shqetësuese”, thonë zyrtarët e Shëndetësisë.
Specialistët thonë se ushqimi me gji i fëmijëve deri në moshën 6 muaj është një prej rekomandimeve botërore.
Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka theksuar nevojën e bashkëpunimit të shumë sektorëve për të reduktuar kequshqyerjen .
Përmes një programi të mbështetur edhe nga organizata ndërkombëtare, në 5 rrethe të veriut te Shqipërisë si Kukës dhe Shkodër, e dy bashki periferike të Tiranës do ndërhyhet për përmirësimin e gjendjes së ushqyerjes së fëmijëve.
b.a/n.e/NOA