Mbështetës Të Opozitës Bllokojnë Për Pak Minuta Disa Akse Kryesore Rrugore Në Vend
TIRANË, 11 Maj/ATSH/.- Mbështetës dhe deputetë të Partisë Socialiste në disa rrethe të vendit protestuan sot duke bllokuar për pak minuta disa nga akset kryesore rrugore, në mbështetje të grevës së urisë , që po mbahet në Tiranë prej 11 ditësh para selisë së Kryeministrisë.
Autostrada Durrës-Tiranë u bllokua sot për rreth 20 minuta nga simpatizantë të PS-së, të cilët sipas drejtuesve lokalë të kësaj partie, protestuan në mbështetje të kërkesave të grevistëve të kryeqytetit.
Rreth orës 13.00 rruga Durrës-Tiranë u bllokua në të dy drejtimet e saj nga një grup prej rreth 350 protestuesish, të cilët mbërritën me autobuzë në vendin e quajtur mbikalimi i Shkozetit, ndërsa forcat e policisë rrugore me qetësi devijuan qarkullimin e automjeteve në rrugët alernative pranë superstradës.
Sipas burimeve nga vendngjarja protesta dhe bllokimi i superstradës, që u bë pa lejen përkatëse nga forcat e rendit, shkaktoi shqetësim te drejtuesit e automjeteve të shumta, të cilat falë ndërhyrjes profesionale të policisë rrugore iu drejtuan rrugëve dytësore për të mbërritur në destinacion.
Pas 20 minutave protestuesit e drejtuar nga krerët lokalë të PS u tërhoqën nga rruga, ndërsa mësohet se tashmë qarkullimi i automjeteve i është rikthyer normalitetit.
Gjithashtu, bllokime pati dhe në Urën e Poshnjes në Berat, në akset nacionale Lushnjë-Fier, Fier-Vlorë e Gjirokastër-Tepelenë.
Bllokim përreth gjysëm ore pati dhe në rrugen që lidh Elbasanin me Tiranën, në urën e Peshkatarit, në superstradën Tiranë-Lezhë, si dhe në hyrje të qytetit të Shkodres duke sjellë probleme në qarkullim për disa minuta./a.s/