Meta: Maxhoranca I Ka Ofruar Opozitës Një Sërë Ofertash Për Të Ndërprerë Bojkotin
- Z. Meta merr pjesë në punimet e Komitetit të Stabilizimit Shqipëri-BE, në Bruksel -
TIRANË, 11 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, tha sot në Bruksel, se "koalicioni qeveritar i ka ofruar opozitës një sërë ofertash për të kontribuar dhe ndërprerë bojkotin parlamentar", duke shtuar se "maxhoranca vazhdon në mënyrë të vazhdueshme të dëshmojë një vullnet të fortë për të bashkëpunuar me opozitën në transparencën e zgjedhjeve".
Në Bruksel u mblodh sot Komiteti i Stabilizimit Shqipëri-BE, ku ishte i pranishëm edhe z. Meta. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Komisionerin për Zgjerimin, Stefan Fule dhe përfaqësuesin e Presidencës spanjolle të BE-së, Sekretarin e Shtetit për Çështjet Europiane, Diego Lopez Garrido, z. Meta u ndal te situata aktuale politike në vend e krijuar nga protesta dhe greva e opozitës.
Në këtë drejtim, ai konfirmoi angazhimin e qeverisë për të gjetur një zgjidhje pozitive. "Ne do vazhdojmë ta ftojmë opozitën të bashkëpunojë me maxhorancën në interesin më të mirë të vendit", tha z. Meta.
Duke i bërë thirrje opozitës për dialog, z. Meta tha se "mes transparencës dhe respektimit të Kushtetutës ekzistojnë hapësirat e mjaftueshme për të gjetur një kompromis dhe për të adresuar në mënyrë të përshtatshme të gjitha kërkesat e ngritura nga opozita".
"Më vjen keq për grevën e urisë. Kam qenë edhe vetë në grevë para miratimit të Kodit Elektoral, por mendoj se greva e urisë është një formë ekstreme, edhe pse demokratike, që mund të shërbejë për sensibilizim, por nuk është instrumenti i duhur për të zgjidhur problemet", tha Meta.
Duke informuar mbi takimin e Komitetit të Stabilizimit Shqipëri-BE, z. Meta u shpreh se "pala shqiptare garantoi se fokusi kryesor i punës mbetet në veçanti lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reforma gjyqësore dhe një numër reformash në fushat kryesore".
Në lidhje me liberalizimin e vizave, Meta tha se gjatë takimit është vlerësuar progresi i deritanishëm i Shqipërisë. Ai siguroi se "Qeveria do të punojë për të realizuar të gjitha detyrimet në mënyrë që të garantojë liberalizimin e vizave brenda këtij viti, sa më shpejt që të jetë e mundur".
Në kuadrin rajonal, z. Meta tha se "Shqipëria do vazhdojë të luajë në mënyrë konstruktive një rol aktiv në nxitjen e stabilitetit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë"./s.s./