Tiranë, 11 maj, NOA – “I bëj thirrje gjithkujt për dialog”, ishin fjalët që zv/kryeministri Meta zgjodhi të thotë nga Brukseli duke patur në njërin krah komisionerin evropian për Zgjerimin Stefan Fule dhe nga ana tjetër, përfaqësuesin e Presidencës Spanjolle të BE-së, Hose Garrido.
“Më vjen keq për grevën e urisë, kam qenë edhe vetë, por unë mendoj se greva e urisë që është një formë ekstreme, mund të shërbejë për sensibilizimin por kjo nuk është mjeti i duhur për të zgjidhur problemet”, tha mes të tjerash, zv/kryeministri shqiptar.
Duke shtuar se “ka një hapësirë të mjaftueshme për të adresuar të gjitha kërkesat e duhura nga opozita dhe se greva e urisë nuk është rruga e duhur që është zgjedhur prej saj”.
Meta i lëshoi këto deklarata gjatë takimit të përbashkët të Këshillit të Stabilizim-Asocimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, i cili u zhvillua sot në Bruksel dhe për të cilin, palët janë shprehur mjaft optimiste mbi ecurinë e reformave.
n.e/NOA