English

Mitrovice - Komiteti I Sigurise: Gjendje E Qete, Pa Ndonje Incident Serioz

PRISHTINË, 11 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Përfaqësuesit e strukturave politike dhe ata të sigurisë, vlerësuan sot në Komitetin Lokal për Siguri Publike në Mitrovicë, se gjendja e sigurisë në dy javët e fundit ka qenë e qetë dhe pa probleme. Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se "gjatë kësaj periudhe kohore nuk është shënuar ndonjë incident serioz që do të reflektohej në gjendjen e përgjithshme të sigurisë". Për gjendje të qetë folën edhe përfaqësuesit e policisë dhe KFOR-it, të cilët nuk kanë përmendur ndonjë shqetësim serioz që ka të bëj me situatën e sigurisë, bën të ditur zyra e shtypit e komunës së Mitrovicës. Avni Kastrati, kryetar i komunës, ka njoftuar Komitetin e Sigurisë për dy projekte që kanë nisur në fundjavë, pastrimin e varrezave ortodokse në jug si dhe atyre myslimane në veri të qytetit të Mitrovicës. Ai tha se nuk ka pasur asnjë problem për realizimin e këtij aksioni, ndërkohë që ftoi qytetarët serbë që të bëhen pjesë e projekteve të përbashkëta në të mirë të të gjithëve. Ai përmendi edhe nisjen e punimeve në arat që ndodhen në veri të qytetit, që prej 11 vjetesh nuk janë punuar për arsye të ndryshme, qoftë të natyrës ekonomike, qoftë të sigurisë. "Kjo është rrjedhojë e një memorandumi që kemi nënshkruar me Ministrinë e Bujqësisë të qeverisë së Kosovës për mbështetjen e fermerëve të veriut me nga 280 euro për hektar. Përveç fermerëve shqiptarë ka edhe serbë të interesuar që të përfitojnë nga ky projekt", bëri të ditur ai. /a.ke/
KOMENTE