Mladenov: Mbështetje E Gjithanshme E Bullgarisë Për Kosovën
PRISHTINË, 11 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Ministri i Punëve të Jashtme i Bullgarisë, Nikollay Mladenov, shprehu sot në Prishtinë, gjatë takimit me Kryeministrin Thaçi, qëndrimin e qeverisë bullgare për të vazhduar mbështetjen e gjithanshme për Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit në strukturat euroatlantike.
Zyra e shtypit e qeverisë së Kosovës bëri të ditur se në takim u vlerësuan lart marrëdhëniet dypalëshe dhe u shpreh gatishmëria për të ecur në rrugën e ndërtimit të raporteve të mira në mes të dy vendeve në të ardhmen.
Në këtë kuadër, Kryeministri Thaçi shprehu falënderimet për mbështetjen aktive të Bullgarisë ndaj Kosovës në rrugën e ndërtimit të shtetit ligjor, demokratizimit si dhe në ndërtimin e mirëqenies dhe të ardhmes së sigurt për qytetarët e vet.
"Qeveria dhe populli i Kosovës janë përcaktuar për rrugën e bashkëpunimit dhe të fqinjësisë së mirë me të gjithë fqinjët e vet. Ne do të vazhdojmë të angazhohemi për të qenë pjesë e Evropës së Bashkuar në të ardhmen", u shpreh Thaçi.
Ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Nikolay Mladenov, do të pritet në takime të veçanta edhe nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe ministri i Jashtëm kosovar, Skender Hyseni.
Kryediplomati bullgar, sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme kosovare, do të ketë po ashtu takime edhe në KFOR dhe ICO./s.s./