English

Mladenov: Pavarësia E Kosovës Është Punë E Kryer

PRISHTINË, 11 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Pavarësia e Kosovës është punë e kryer dhe nuk mund ta kthejmë kohën prapa, tha sot ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Nikolay Mladenov, i pritur në takim nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu. Zyra e shtypit e Presidencës bëri të ditur se duke folur për përkrahjen e mëtejshme që Bullgaria i ofron Kosovës, shefi i diplomacisë bullgare rikonfirmoi se "mbështetja e Bullgarisë për Kosovën është shumë e sinqertë dhe si e tillë do të vazhdojë edhe në të ardhmen". "Po ashtu, ne mbështesim fuqishëm perspektivën evropiane të Kosovës. Pavarësia e Kosovës është punë e kryer dhe nuk mund ta kthejmë kohën prapa, me këtë mesazh flasim kudo në rajon", tha ministri Mladenov. Ministri i Jashtëm bullgar shprehu gatishmërinë e vendit të tij për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, politik dhe kulturor me Kosovën. Nga ana e tij, Presidenti Sejdiu shprehu falënderimin për mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme që Bullgaria i ka dhënë Kosovës në vazhdimësi, duke theksuar se "momenti i njohjes i pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Bullgaria ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin tonë". Duke folur për bashkëpunimin midis dy vendeve, Presidenti Sejdiu tha se fakti që Kosova dhe Bullgaria janë shumë afër fizikisht mundëson lëvizjet e qytetarëve dhe bashkëpunimin e bizneseve. Presidenti Sejdiu theksoi se Kosova ka ende probleme ekonomike dhe sociale, por është e përkushtuar për t'i tejkaluar sa më parë ato. Ai gjithashtu theksoi se Kosova nuk ka vizion tjetër përveç integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO./s.s./
KOMENTE