English

Njohja E Pavarësisë Së Kosovës, Kontribut I Rëndësishëm Për Paqen Dhe Stabilitetin Në Rajon

- Thekson Kryeministri Berisha në takimin me një grup parlamentar të Arabisë Saudite- TIRANE, 11 Maj/ATSH/.- Kryeministri Berisha theksoi sot, gjatë takimit me një grup parlamentar të Arabisë Saudite, të kryesuar nga Dr. Mohamad Bin Sa'ad Alsalem, se "njohja e pavarësisë së Kosovës është një kontribut i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon". Zyra e shtypit e Kryeministrit bëri të ditur se Dr. Mohamad Bin Sa'ad Alsalem i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet e mbretit saudit Abdullah bin Aziz Al Saud, si dhe theksoi edhe një herë angazhimin për bashkëpunimin e mëtejshëm mes të dy vendeve si dhe lobimin e vazhdueshëm për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vendet e tjera. "Eshtë e drejta e një populli të kërkojë liri", theksoi Dr. Mohamad Bin Sa'ad Alsalem, Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të arritjeve të Shqipërisë gjatë viteve të fundit, duke theksuar se "kemi bërë përpjekje për të ndryshuar Shqipërinë dhe ia kemi arritur me anë të reformave shumë të thella". Gjithashtu Kryeministri Berisha shpalosi përpara parlamentarëve sauditë dhe mundësitë dhe potencialet që ofron Shqipëria për investitorët e huaj. Kryeministri theksoi se "Shqipëria është një vend i vogël, por mundësitë dhe potencialet e saj janë të mëdha". Në këtë kuadër, Kryeministri Berisha renditi si fusha prioritare për investitorët e huaj, energjetikën, turizmin si dhe pasuritë e mëdha minerare të nëntokës shqiptare. Kryeministri Berisha i njohu miqtë sauditë edhe me lehtësitë e të bërit biznes, barrën e ulët fiskale, regjistrimin e bizneseve dhe pagesën e taksave on-line, renditjen e Shqipërisë si e dyta në botë në listën për prokurimet elektronike, apo renditjen e Shqipërisë si e 14-ta në listën e vendeve në mbrojtjen e investimeve të huaja./s.s./
KOMENTE