Obama Krijon Shtab Emergjence Për Ndaljen E Derdhjes Së Naftës Në Gjirin E Meksikës
UASHINGTON, 10 maj /ATSH-AFP/ - Presidenti amerikan, Barack Obama mblodhi sot një shtab për situatat emergjente në Shtëpinë e Bardhë në përpjekje për të gjetur në zgjidhje për situatën e derdhjes së naftës bruto në detin e Gjirit të Meksikës, ku u shpreh se do të bëjë përpjekjet e tij maksimale që shoqëria britanike a naftës ''British Petrol'' të paguajë për dëmet.
Në një sallë të sigurisë së lartë të shtëpisë presidenciale të destinuar për situatat e urgjencës, Obama zhvilloi një takim me sekretarin e Mbrojtjes, sekretarin e Sigurisë së Shtetit, me sekretarin e Energjetikës dhe atë të Punëve të Brendshme, në prani të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë amerikane.
Ndërkohë që nafta vazhdon të derdhet, pavarësisht përpjekjeve të BP dhe autoriteteve amerikane, me një ritëm prej rreth 800 mijë litra në ditë nga thellësitë e Gjirit të Meksikës, si pasojë e mbytjes së një platforme naftënzjerrëse në fund të muajit prill, Obama theksoi se asnjë alternative potenciale për zgjidhje të mos lihet mënjanë, sipas Shtëpisë së Bardhë.
"Në momentet që ne po shqyrtonim alternativat e ndryshme për ndaljen e derdhej së naftës, presidenti i përcolli dy mesazhe ekipit të tij, i pari ishte mbi rëndësinë e konsultimit të ekspertëve të pavarur, shkencëtarë dhe teknikë dhe i dyti ishte që të paraqiten të gjitha këndvështrimet e mundshme për zgjidhjen e problemit shumë të rëndë", theksoi presidenca amerikane përmes një deklarate për shtyp./
/i.p/