P/Ligj Që Rregullon Marrëdhëniet Administrative Në Rastet E Kundravajtjeve
- Komisioni i Ligjeve miraton në parim p/ligjin "Për kundravajtjet administrative" -
TIRANË, 11 Maj/ATSH/.- Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi sot në parim projektligjin "Për kundravajtjet administrative", që synon rregullimin e marrëdhënieve administrative në rastet e kundravajtjeve.
P/ligji, që përmirëson ligjin aktual të miratuar në vitin '93, i është nënshtruar disa ndryshimeve jothelbësore, të diktuara nga ndryshimet e thella që ka pësuar legjislacioni shqiptar në përgjithësi. Objekt i tij janë aktet administrative të ndëshkimit administrativ, kundërvajtjet administrative të kryera nga persona juridikë e fizikë, si dhe procedurat e ekzekutimit të dënimit administrativ të vendosura nëpërmjet një akti administrativ të vlefshëm.
Relatorja e komisionit për këtë p/ligj, deputetja Arenca Trashani, tha se drafti bën një rregullim të plotë të dinamikës së marrëdhënieve administrative në rastin e kundërvajtjeve. Sipas saj, p/ligji përmirëson e harmonizon edhe pjesën tjetër të legjislacionit që lidhet me këtë fushë, duke përfshirë një sërë ligjesh dhe hallkash institucionale që nuk e gjenin veten në ligjin ekzistues.
Deputetja Trashani vlerësoi si një element shumë pozitiv të draftit unifikimin e procedurave të shqyrtimit, gjykimit, ankimimit në marrëdhëniet administrative, duke ofruar zgjidhje edhe për një sërë rastesh që deri më sot kanë qënë të pazgjidhura. /a.s//a.ke/