Papa Deklaron Se Skandalet E Abuzimeve Seksuale Janë Tmerruese
- Papa: Falja nuk mund ta zëvendësojë drejtësinë -
LISBONË, 11 maj /ATSH-ANSA/ - Papa Benedikti XVI deklaroi sot se skandalet e abuzimeve seksuale që kanë goditur Kishën Katolike "tmerruese".
"Është vërtetë tmerruese që Kisha të vuajë nga sulme që vijnë nga brenda, nga mëkatet që vijnë nga brenda Kishës", deklaroi Papa gjatë udhëtimit për në Portugali, ku do të kryejë një vizitë katër ditore.
Papa, i cili do të vizitojë edhe Bazilikën Fatima, deklaroi se mrekullitë që ndodhën atje "njoftuan për vuajtjet e Kishës".
Papa theksoi gjithashtu se "falja nuk e zëvendëson drejtësinë".
Skandalet e abuzimeve seksuale me të miturit nga ana e priftërinjve e kanë goditur Kishën Katolike në disa vende të ndryshme të botës, përfshi Shtetet e Bashkuara, Australi, Irlandë, Holandë, Norvegji, Austri, Gjermani dhe Itali.
Kritikët e kanë akuzuar Papën se ka dështuar të zbatonte detyrën kur ishte kreu i një organizmi të kishës që merrej me rastet e pedofilisë.
Ndërsa Vatikani është përgjigjur duke deklaruar se Benedikti, në të kundërt, kishte dhënë ndihmën e tij për ta bërë sa më të lehtë dënimin e pedofilëve dhe ka parandaluar që ata të bëhen priftërinj.
Benedikti, 83 vjeç, u zgjodh Papë pesë vjet më parë pasi shërbeu për 24 vjet si kreu i Kongregacionit për Doktrinën e Besimit.
Papa është takuar me disa nga viktimat e priftërinjve pedofilë në SHBA, Australi dhe së fundmi në Maltë, ku thuhet se ai ka qarë ndërsa lutej për ta.
Për Pashkë ai i dërgoi një letër autoriteteve të kishës irlandeze, në të cilën shprehte "turp" për abuzimet në dekada dhe mbulimin e rasteve.
Benedikti ka pranuar deri tani kërkesën për dorëheqje të katër peshkopëve irlandezë, ndërsa dy të tjerë kanë kërkuar dorëheqjen kohët e fundit.
Peshkopi që ka shërbyer më gjatë në Belgjikë, Roger Vangheluwe i Bruges, kërkoi dorëheqjen muajin e kaluar dhe kërkesa u pranua.
Peshkopi i fundit që ka dhënë dorëheqjen, të dielën, është Walter Mixa i Augsburg në Gjermani, i cili është edhe subjekti i një hetimi të policisë.
Vatikani publiko pak javë më parë udhëzimet që ka përdorur që prej vitit 2003 dhe bëri thirrje që të gjitha rastet e abuzimeve seksuale të raportohen në polici sa më parë të jetë e mundur.
/e.v/