English

Patozi: Mazhoranca, gati për dialog me opozitën

Tiranë, 11 maj, NOA - Mazhoranca është e gatshme ta zbatojë menjëherë propozimin e nisjes në parlament të dialogut me opozitën, që të realizojë bashkarisht me të reformat, për të cilat ka nevojë jetike vendi.

Një fakt të tillë e ka bërë me dijeni deputeti Astrit Patozi, në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, duke përshëndetur publikisht deklaratën e sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste Europiane, Filip Korderi, e cila bëri thirrje për t’i dhënë një zgjidhje të shpejtë ngërçit politik të krijuar në Shqipëri, pas grevës së urisë.

“Dëshiroj të siguroj PSE-në se ne jemi plotësisht dakord që të ecim përpara me reformën që do t’i paraprinte zgjedhjeve të ardhshme në vend dhe transparencës së plotë të tyre”, shtoi Patozi.

Duke përfunduar se “kjo mazhorancë i ka ofruar zotit Rama bashkëkryesimin dhe vendimmarrjen konsensuale të komisionit parlamentar që do të ngrihet për reformën zgjedhore dhe se i është kërkuar PS-së që të hartojë të gjitha amendamentet që dëshirojnë për kodin e ri elektoral, në dritën e sugjerimeve të raportit të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet e fundit të Shqipëri”.

n.e/NOA

KOMENTE