English

Patozi: Opozita Të Vijë Në Parlament Për Të Realizur Reformën E Ardhshme Zgjedhore

TIRANË, 11 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi ftoi sot, opozitën që të nisë dialogun në parlament për të realizuar bashkë me maxhorancën, reformën zgjedhore dhe të gjitha reformat e tjera jetike për vendin. Në një konferencë për shtyp, Patozi shprehu vullnetin e maxhorancës për të dialoguar me opozitën, në mënyrë që të ecet përpara me reformën që do t'i paraprinte zgjedhjeve të ardhshme dhe transparencës së plotë të tyre. Astrit Patozi informoi se maxhoranca i ka ofruar kryesocialistit Rama bashkëkryesimin dhe vendimarrjen konsensuale të komisionit parlamentar që do të ngrihet për reformën zgjedhore. "Ne i kemi kërkuar z. Rama dhe partisë së tij që të hartojë të gjitha amendamentet që dëshiron për Kodin e ri Elektoral, në dritën e sugjerimeve të raportit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e fundit në Shqipëri. Le t'i dërgojë ato për një vlerësim në Komisionin e Venecias, apo në institucionet më të specializuara në botë për vëzhgimin e zgjedhjeve OSBE/ODHR dhe ne nuk kemi asnjë problem ti votojmë pa asnjë dyshim", tha z. Patozi. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së i bëri thirrje medias që të mos ngatërrojë dhe të mos vendosë shenjat e barazimit mes ofertave serioze të maxhorancës dhe preteksteve, apo retorikave, me të cilat z. Rama përpiqet të ushqejë me oksigjen një kauzë që nuk ekziston. "Duhet ta kemi të qartë të gjithë se kjo vorbull e krijuar në këto muaj dhe greva e urisë që po zhvillohet në bulevard, nuk ka lidhje me transparencën, por është pjesë e axhendës personale politike të Edi Ramës që humbjen e tij po e përjeton njësoj sikur Shqipëria të ketë dalë nga një luftë civile në 28 qershor dhe jo nga një proces normal dhe transparent", tha z. Patozi. Sipas tij "kryesocialisti Rama po kërkon që me mjete radikale të arrijë atë që nuk arriti dot me zgjedhje të lira dhe të ndershme"./n.m/
KOMENTE