Përnaska: "Kauza" E Edi Ramës Për Marrjen E Pushtetit Me Çdo Mjet, Nuk I Shërben Integrimit
TIRANË, 11 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Deputetja e Partisë Demokratike, Lajla Përnaska tha sot se "kauza" e Edi Ramës për marrjen e pushtetit me çdo mjet, nuk është kauza e integrimit dhe lëvizjes së lirë së qytetarëve shqiptarë.
Në një deklaratë për shtyp, znj. Përnaska i bëri thirrje sot kryetarit të PS-së, Edi Rama që të mos cënojë dinjitetin e grave socialiste, por të marrë qoftë dhe për një moment kurajon të provojë vetë grevën në vend të tyre.
"Z. Rama, të jesh në krye të një force politike, nuk do të thotë të luash me fatet e vendit tënd, jetën e nënave dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre. Të ndihesh i humbur ti si individ, apo si politikan qoftë, nuk do të thotë se është e humbur gjithë shoqëria", tha deputetja Përnaska, duke shtuar se "kriza dhe drama personale e Edi Ramës nuk është krizë dhe dramë e shqiptarëve".
Si mjeke, znj. Përnaska i bëri thirrje kryesocialistit Rama që të mos luajë me shëndetin e njerëzve, por të lejojë shërbimin shëndetësor të jetë pranë tyre.
"Mos kini frikë nga lëvizja e lirë e shqiptarëve dhe nga integrimi i vendit në familjen europiane, ku ka standarde dhe jo interesa individësh, ku ka shtet ligjor dhe jo politikë rruge, ku ka institucione solide dhe jo pazare", tha ajo./n.m/