English

Policia E Shtetit: Bllokimet E Rrugëve Nga Ps Të Paligjshme

TIRANË, 11 Maj/ ATSH- Mira Shkurta/. - Policia e Shtetit i cilësoi të paligjshme protestat e Partisë Socialiste, gjatë të cilave mbështetës dhe deputetë të Partisë Socialiste në disa rrethe të vendit, bllokuan sot për pak minuta disa nga akset kryesore rrugore të vendit. Në një deklaratë për mediat, Policia e Shtetit deklaroi se "kanë nisur hetimet për personat që bllokuan sot akset rrugore", duke bërë me dije se "bllokimi i akseve rrugore përbën vepër penale". Përmes deklaratës, Policia e Shtetit bën apel për mosbllokim të rrugëve, pasi "pengimi i qarkullimit të të gjitha mjeteve të levizëshme, sipas nenit 293 të Kodit Penal, përbën vepër penale". Policia tha se po punohet për identifikimin dhe shoqërimin e organizatorëve të këtyre veprimeve të paligjshme, ndërsa materialet proceduriale për çdo rast, do t'i dërgohen Prokurorisë. Mbështetës dhe deputetë të Partisë Socialiste në disa rrethe të vendit protestuan sot duke bllokuar për pak minuta disa nga akset kryesore rrugore në mbështetje të grevës së urisë që po zhvillohet në Tiranë prej mbrëmjes së 30 Prillit, para selisë së Kryeministrisë. Rreth orës 13.00 autostrada Durrës-Tiranë u bllokua në të dy drejtimet e saj nga një grup prej rreth 350 protestuesish, të cilët mbërritën me autobuzë në vendin e quajtur mbikalimi i Shkozetit, ndërsa forcat e policisë rrugore me qetësi devijuan qarkullimin e automjeteve në rrugët alternative pranë superstradës. Sipas burimeve nga vendngjarja, protesta dhe bllokimi i superstradës, që u bë pa lejen përkatëse nga forcat e rendit, shkaktoi shqetësim te drejtuesit e automjeteve të shumta, të cilat falë ndërhyrjes profesionale të policisë rrugore iu drejtuan rrugëve dytësore për të mbërritur në destinacion. Pas 20 minutave protestuesit e drejtuar nga krerët lokalë të PS u tërhoqën nga rruga, ndërsa mësohet se tashmë qarkullimi i automjeteve i është rikthyer normalitetit. Gjithashtu, bllokime pati dhe në Urën e Poshnjes në Berat, në akset nacionale Lushnjë-Fier, Fier-Vlorë e Gjirokastër-Tepelenë. Bllokim përreth gjysëm ore pati dhe në rrugen që lidh Elbasanin me Tiranën, në urën e Peshkatarit, në superstradën Tiranë-Lezhë si dhe në hyrje të qytetit të Shkodres, duke sjellë probleme në qarkullim për disa minuta. /s.s./
KOMENTE