Tiranë, 11 maj, NOA – “Strukturat e Policisë së Shtetit u bëjnë thirrje qytetarëve për mosbllokimin e akseve rrugore, pasi pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit përbën vepër penale, e cila sipas nenit 293 të Kodit Penal dënohet me gjobë ose me burgim gjer në 3 vjet”.
Me një paralajmërim të tillë, Policia e Shtetit ka reaguar mbi bllokimin e sotëm të rrugëve nga protestuesit e PS-së, duke e bërë apel se një akt i tillë cilësohet vepër penale, prandaj duhet mënjanuar kryerja e tij.
“Nga strukturat e Policisë së Shtetit po punohet për identifikimin dhe shoqërimin e organizatorëve të këtyre veprimeve të paligjshme dhe materialet procedurale për çdo rast do t’i referohen prokurorisë për veprën penale “pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”, vijon qëndrimi zyrtar i Policisë së Shtetit lidhur me një situatë të tillë.
Më tej, ky institucion ka bërë me dijeni se megjithatë, në zbatim të akteve ligjore, për çdo rast ka marrë masa për të garantuar sigurinë publike, normalizuar trafikun dhe për të shmangur incidentet e mundshme.
Gjatë ditës së sotme, turma mbështetësish të Partisë Socialiste kanë bllokuar plotësisht ose pjesërisht për disa minuta, rrugët në akset kryesore të qyteteve si atë Fier-Lushnjë,
Tiranë-Durrës etj.
n.e/NOA