English

Profil/Elbasan: Fermeri Që Arriti Të Rimëkëmbë Baxhon E Tij

ELBASAN, 11 Maj /ATSH-Miranda Sadiku/ - Në qendër të komunës Përparimi në rrethin e Peqinit ndodhet një baxho prodhimet e të cilës shiten në gjithë Shqipërinë. Në këto 19 vjet, është i pari investim në nivel komune me ndihmën e qeverisë shqiptare për përpunimin e qumështit. "Kisha shumë vjet që e kisha hapur baxhon, por nuk munda të vjel asgjë, pasi më mungonin pajisjet, ndaj u detyrova që në 2008 ta mbyll," thotë pronari i saj, Mustafa Sulkja. Por duke parë se zona kishte nevojë për një minibaxho, pasi qumështi nuk shitej i gjithi nga fshatarët, Sulkja ju rifut dhe njëherë punës dhe ja doli dhe gjithçka në sajë të një projekti për subvencionim nga qeveria. Dy vjet më parë Sulkja aplikoi në Drejtorinë Rajonale të Bujqësisë për programin e subvencioneve që u ofrohen nga qeveria fermerëve për të ushtruar aktivitetin e tyre. Sot ai tregon si mundi të rihapte baxhon dhe më pas të bëhej prodhues i liçensuar. "Gjithçka sot në baxhon time është falë ndihmës që qeveria jep për fermerët. Ishin specialistë të sektorit të këshillimit në drejtorinë e bujqësisë që më lajmëruan për projektin e granteve me konkurim të Bankës Botërore. Si shumë fermerë edhe unë aplikova me një projekt me qëllim, që minibaxhon time ta ktheja në një baxho të vërtetë dhe pse jo në një miniqendër biznesi," thotë Sulkja. Me anë të këtij projekti, fitoi fondin prej 1.5 milionë lekë dhe fermeri Mustafa Sulkja instaloi aparaturat dhe rinisi aktivitetin e lënë për mungesë fondesh. Ai tregon se si fillim prodhonte vetëm djath të bardhë, por me instalimin e kësaj teknoklogjie dhe kërkesat e tregut, sot prodhon edhe nënprodukte të tjera të qumështit si salcë kosi dhe dhallë. "Për mua kjo ishte një ndihmë e madhe pasi kam disafishuar sasinë e prodhimit, cilësinë dhe fitimin tim. Nëse para dy vjetësh grumbulloja 5 kuintalë qumësht, tashmë grumbulloj 15 kuintalë", tregon fermeri. Nga projekti ai përfitoi një dhomë frigoriferike dhe një kazan të madh, ku mirëmban qumështin në kushte optimale. Përsa i përket tregut, Sulkja thotë se shitja është e garantuar, shumë pika shumice blejnë djathin e bardhë. Kërkesat janë të shumta jo vetëm në Elbasan, Peqin e Gramsh, por edhe në Shkodër, Tiranë e gjetkë. "I jam shumë mirënjohës qeverisë dhe ministrisë së Bujqësisë Ushqimit dhe Konsumatorit për këto projekte, ku aplikon fermeri, që ka shumë përfitime," thotë ai. Hapja e kësaj baxhoje në komunën Përparim ka bërë që tashmë fshatarët të mos dalin të tregëtojnë qumësht në treg apo derë më derë, por t'a çojnë atje duke marrë paratë në dorë dhe pa u lodhur. Fermeri Mustafa Sulkja thotë se edhe këtë vit ka aplikuar pranë drejtorisë së bujqësisë dhe shpreson që t'i shtojë pajisjet bashkohore në baxhon e tij./ch/
KOMENTE