Projektohet Rruga Për Qarkullimin E Automjeteve Tek Ish-Fusha E Aviacionit
TIRANË, 11 Maj /ATSH, Gjergji Mima/ - Punimet për ndërtimin e Parkut Urban tek ish - Fusha Aviacionit, po vazhdojnë në të gjithë zonën që përfshin ky projekt.
Sipas Bashkisë së Tiranës, këto ditë po projektohet rruga për qarkullimin e lirshëm të automjeteve dhe komunitetit.
"Me qëllim që të mos pengohet lëvizshmëria e banorëve dhe mjeteve, në anën veri-lindore po përgatitet projekti i rrugës pas pallateve, që do të sigurojë qarkullimin e lirshëm të mjeteve dhe komunitetit si dhe do të mundësojë një ecuri normale të punimeve, edhe në këtë zonë", thanë burimet.
Sipas tyre, "një nga problematikat e ndeshura në realizimin e projektit është lirimi i sheshit nga ndërtimet pa leje si gardhe, shtesa një dhe dy katëshe, zënie të sipërfaqeve publike për lokale private etj, ndërsa së shpejti do të fillojë asfaltimi i rrugës në anën veri-perëndimore të objektit dhe shtrimi i disa shesheve me beton të stampuar".
Projekti për parkun tek ish-Pista e Aviacionit parashikon krijimin e një hapësire urbane, një parku tematik, që synon të mos fragmentojë më tepër hapësirën ekzistuese, por të unifikojë dhe lidhë më tepër segmentet urbane të ish-Pistës së Aviacionit, hapësirat ekzistuese mes tyre, si dhe me ato, që do të zhvillohen në të ardhmen./n.m/