Ne nuk dalim në rrugë për të penguar të tjerët. Ne dalim në rrugë që Shqipëria të mos pengohet në rrugën e saj dhe që çdo shqiptar e shqiptare, ta ketë të hapur rrugën e vet. Prandaj unë do t’i bëj apel, drejtuesve të policisë së shtetit, që ashtu si deri dje dhe ashtu si edhe sot në ato pika ku gjithçka u zhvillua brenda të gjitha normave të rezistencës paqësore dhe në përputhje të plotë qoftë me liritë
Nga Edi Rama
Me mijëra qytetarë dhe qytetare, sot në drekë manifestuan paqësisht, duke dëshmuar përmes simbolikës së rezistencës paqësore në akset nacionale, se ne të gjithë jemi grevistë. Ne të gjithë jemi në radhë për ta vazhduar këtë betejë deri në fund. Jemi në radhë për të mos lejuar që lirinë dhe të drejtat tona të jenë në duart e të tjerëve. Dhe këtu unë dua të them dy fjalë për Policinë e Shtetit:
Aty ku manifestimi simbolik i dëshmisë së solidaritet me grevistët nuk u provokua nga policia e shtetit gjithçka shkoi siç duhet, sepse kjo e jona është një rezistencë paqësore, është një protestë qytetare, është një lëvizje evropiane që kërkon ti hapë Shqipërisë rrugën e zhvillimit me bindjen se zhvillimi buron nga liria e garantuar dhe të drejtat e siguruara.
Ndërsa në ato raste kur policia e shtetit ndërhyri në mënyrë krejt të panevojshme u krijuan situata krejt të panevojshme. Dua ta theksoj që të jetë e qartë për të gjithë, se manifestimet tona të protestës janë manifestime të një shpirti opozitar që nuk jepet dhe që qëndron i palëkundur. Por që mishërohet përmes qytetarësh e qytetaresh që nuk kanë në duar gurë. Dhe që dalin në rrugë në shenjë solidariteti me këtë grevë urie. Që dalin në rrugë për të dëshmuar se zemra e kësaj proteste që rreh në këtë bulevard, brenda kësaj çadre, pulson në të gjithë Shqipërinë.
Ne nuk dalim në rrugë për të penguar të tjerët. Ne dalim në rrugë që Shqipëria të mos pengohet në rrugën e saj dhe që çdo shqiptar e shqiptare, ta ketë të hapur rrugën e vet. Prandaj unë do t’i bëj apel, drejtuesve të policisë së shtetit, që ashtu si deri dje dhe ashtu si edhe sot në ato pika ku gjithçka u zhvillua brenda të gjitha normave të rezistencës paqësore dhe në përputhje të plotë qoftë me liritë dhe të drejtat tona kushtetuese, ashtu edhe me domosdoshmërinë për të mos krijuar asnjë problem shqetësues për qytetarët në këto rrugë, ashtu të ndodhë, dhe jo si në ato raste, kur policia e ka tejkaluar kufirin, duke rënë në një sjellje të papërshtatshme dhe provokative.
E ndërkohë bëj apel, që të gjithë ata qytetarë që kanë manifestuar paqësisht, të mos ngacmohen në asnjë fije të flokut të tyre nga policia.
Kjo nuk është një protestë e cila zhvillohet kundër policisë. Kjo nuk është një protestë e cila zhvillohet kundër shtetit. Kjo është një protestë që zhvillohet kundër pushtetit që ka marrë peng liri e të drejta që duhet ti lëshoj. Kundër pushtetit që ka marrë peng kutitë, ku qëndron mbyllur arma që vrau zgjedhjet e shkuara dhe që kërcënon të vrasë edhe zgjedhjet e ardhshme. Atë armë ne duhet ta nxjerrim që aty, e duhet ta flakim në të kaluarën në mënyrë që në të ardhmen të shkojmë me zgjedhje të lira e të ndershme, ku çdo qytetar të vendos ashtu siç dëshiron dhe çdo votë të numërohet ashtu siç meriton.
Sot, ne të gjithë morëm lajmin e një ngjarje tragjike në një gjimnaz të Elbasanit, lajmin e një vrasje në klasë. E brenda atyre orëve morëm edhe lajmin e një helmimi në Ballsh të shumë njerëzve e kështu çdo ditë, me lajme që dëshmojnë që shteti i të gjithëve është vetëm mjet në duart e disave. Ndërkohë që të shumtit, ata që jetojnë jashtë oborrit të interesave të atyre që qeverisin jashtë vullnetit të oborrit, ndeshen përditë në jetën e tyre me lajme të hidhura. Ndeshen përditë në jetën e tyre me papunësi. Ndeshen përditë me rënien e fuqisë së tyre blerëse. Ndeshen përditë me rritjen e pa përballueshme të çmimeve. Ndeshen përditë me pamundësinë për të përballuar koston e tyre të jetesës. Ndeshen përditë me kërcënimin e një jete që nuk e kontrollojnë dot. Që del nga fuqitë e tyre, që del nga mundësit e tyre.
Në kushtet kur liria është marrë peng. Në kushtet kur e drejta varet nga vullneti i një grushti njerëzish në pushtet dhe nuk garantohet nga institucionet e mekanizmat e shtetit, që duhet të jetë i të gjithëve. E pra arsyeja e kësaj proteste është e tëra këtu. Nuk ka të bëjë me asnjë interes tonin për pushtet, por ka të bëjë me interesin kombëtar që pushteti tu përkasë njerëzve. Të jetë me njerëzit dhe për njerëzit. Dhe ata që qeverisin të jenë në shërbim të atyre që zgjedhin dhe jo ata që zgjedhin të jenë nën zgjedhën e atyre që nuk i lënë të zgjedhin.
Është koha që të gjithë qytetarët e këtij vendi, të gjithë shqiptarët e shqiptaret që jetojnë mes 1001 e peripecive në këtë vend. Të gjithë ata që e ndjekin këtë protestë përmes ekranit, e që janë bashkuar me ne shpirtërisht, të hedhin tutje frikën. Të hedhin tutje ngurrimin, të hedhin tutje gjithçka që pengon në shprehjen e nevojës së tyre për liri dhe të drejta që ju mungojnë. Është koha që ne ti japim dorën njëri-tjetrin dhe së bashku ti japim jetë asaj Shqipërie që vazhdon të na mungojë. Jo se na mungojnë mundësitë, por sepse na mungojnë instrumentet që me mundësitë tona ta bëjmë Shqipërinë zonjë. Dhe këto instrumenta fillojnë nga çka ndodhet kyçur brenda në kutitë e votimit, e vazhdojnë e shtrihen kudo ku institucionet e shtetit duhet të shtrihen në shërbim të qytetarëve dhe jo të pushtetit.
Unë dua sot ta ritheksoj me forcë se jemi në këtë protestë më të vendosur se kurrë, për të ndarë të shkuarën nga e ardhmja. Se ne në këtë protestë më të vendosur se kurrë, për të krijuar kushtet se në Shqipëri çdo njeri të jetë i respektuar. Jo në bazë të bindjeve të tij politike dhe të përkatësisë së tij ndaj një partie apo një tjetre, por në bazë të kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Përpara të cilës çdo qytetar është i barabartë, e përpara të cilës të drejtat e çdo qytetari janë një detyrim për shtetin që duhet të garantoj secilin dhe të gjithë. Dhe janë një urdhër për pushtetin që duhet të jetë në shërbim të shtetit e të gjithëve.
Unë dua sot një duartrokitje të të gjithëve për ata që u larguan nga kjo çadër drejt spitalit. Për ata të cilët shteruan, energji dhe forca për të dëshmuar se ne jemi këtu me vetëdijen e plotë të çmimit që duhet paguar për liri e të drejta që nuk kanë çmim. Me vetëdijen e plotë të çdo sakrificë që duhet bërë për liri e të drejta që meritojnë të gjitha sakrifica. Me vetëdijen e plotë se ne jemi këtu edhe për ata që këtu nuk vinë dot prej frikës apo prej ngurrimit. Ne jemi këtu për ta çliruar këtë vend nga frika. Ne jemi këtu për ta çliruar këtë vend nga të gjitha ato fije të dukshme apo të padukshme, që mbajnë lidhur duart e shqiptarëve. Që mbajnë peng mendjet e shqiptarëve. Që nuk i lënë këmbët e shqiptarëve të vrapojnë shpejt, këmbët e imagjinatës, këmbët e ideve. Këmbët e ëndrrave e të shpresave duke bërë që shumëkush të bjerë në kurthin e dëshpërimit, në kurthin e skepticizmit, në kurthin e mungesës së shpresës e të thotë kjo është Shqipëria, kështu e ka Shqipëria, nuk bëhet Shqipëria.
Jo motra dhe vëllezër, Shqipëria bëhet dhe Shqipërinë ne do ta bëjmë të gjithë së bashku. Duke filluar nga garancia se çdo shqiptar e shqiptare do ta ketë të pa prekshme të drejtën për të kontribuar me votë, që të bëhet Shqipëria. E njëkohësisht duke garantuar që çdo shqiptar e shqiptare të ketë vendin që i takon në një shoqëri e cila nuk duhet ti ndaj njerëzit, në tanët në pushtet, e ata në opozitë. E cila nuk duhet ti dalloj njerëzit mes atyre që janë të gatshëm ti shërbejnë pushtetit e mes atyre që për shkak se nuk e duan pushtetin, mallkohen prej tij. E cila duhet të shohë tek secili një pasuri. Duhet të shohë tek secili një mundësi. Duhet të shohë tek secili një më shumë dhe jo një më pak. Një më shumë edhe kur mendon ndryshe. Një më shumë edhe kur është kundër, një më shumë edhe kur ngre zërin për të thënë ç’ka nuk i pëlqen.
Kjo është Shqipëria që na duhet dhe kjo Shqipëri e ka zanafillën e vet tek ajo kutia e mbyllur. Tek ajo kutia e mbyllur nga ku burojnë pastaj të gjitha të këqijat. Transparenca e kutisë ku populli hedh votën, është e barabartë me transparencën e qeverisjes së popullit. Një qeveri që e merr votën edhe kur populli nuk ja jep nuk i detyrohet popullit transparencë. E nuk do t’ja dijë fare për ç’ka mendon e ç’ka vuan populli. Prej mënyrës sesi ajo qeveris ajo sillet me të. Ndërsa një qeveri që është fryt i vullnetit të popullit të shprehur me transparencë është e detyruar të jetë transparente me popullin e vet.
Kush mendon se vështirësitë e veta ekonomike nuk kanë lidhje me protestën tonë, bën një gabim shumë të madh, sepse e kundërta është e vërtetë. Ne jemi pikërisht në protestë, sepse ç’ka ka ndodhur në ato kutitë e mbyllura, e ç’ka ka pasuar me mbajtjen mbyllur të atyre kutive, ka sjellë në të gjitha ato vështirësi të rritura ekonomike për familjet shqiptare. Ka sjell në fakt të gjitha ato mundime të pa nevojshme për shumë e shumë shqiptar, që janë sot pjesë e atij 100 mijëshi që ka humbur vendin e punës, pas 28 qershorit. E që janë sot pjesë e asaj gjysmës së popullit që janë të gatshëm për punë, që sot është e papunë. Që sot është e pa shpresë, e që sot nuk ka zgjidhje.
Ne jemi këtu për t’i dhënë zgjidhje. Dhe zgjidhja nuk është që ne të marrim pushtetin në tavolinë. Ne nuk duam pushtetin përmes kësaj proteste. Por ne duam që nga kjo protestë të dalë një Shqipëri më e mirë e mbështetur tek transparenca dhe pastaj me transparencë, në momentin e duhur të bëjë zgjedhjen e vetë për të pasur një qeveri dhe një qeverisje më të mirë. Këtë kërkojmë ne, sepse jemi të bindur që ndryshe do të shkojmë thellë e më thellë në tunelin pa rrugëdalje, të mbretërisë së pa shpallur. Të cilën Sali Berisha kërkon ta kthejë në realitetin e jetës së përditshme të shqiptarëve, që u thuhet se Shqipëria ka kushtetutë por që kushtetutën e shkel si askush tjetër i pari i qeverisë. Që u thuhet se Shqipëria ka ligje si në Europë, por që ligjet nuk vlejnë njësoj, si për njeriun e pa mbrojtur edhe për atë të pushtetshëm. I cili u shpëton të gjitha ligjeve në emër të përfitimeve që nuk dënohen dot me ligj e pse janë të paligjshme.
Ne duam që Shqipëria të ndryshojë dhe të ndryshojë përmes një rruge të re, në të cilën ne mund ti kemi korsitë të ndara, por duhet ta kemi horizontin të hapur dhe gara e politikës nuk duhet të jetë se kush asgjëson tjetrin, nuk duhet të ketë se kush hedh më shumë baltë mbi tjetrin, nuk duhet të jetë se kush pengon më shumë tjetrin, por duhet të jetë se kush ecën më shpejt se tjetri, duke bërë që i gjithë vendi të shkojë më shpejt përpara.
Sot kam pasur një diskutim me një qytetar i cili më tha, se si plotë të tjerë, ishte plotësisht dakord me çka ne kërkojmë, ishte plotësisht dakord se kutitë duhet të hapen, ishte plotësisht dakord se transparenca duhet të jetë parimi i funksionimit të institucioneve shtetërore, të parlamentit, të qeverisë e kështu me radhë. Ishte plotësisht dakord se liria e medias duhet garantuar, por nuk ishte dakord me formën e protestës sonë dhe as me grevën e urisë.
Atij qytetari dhe të gjithë atyre që mendojnë si ai u them, në rast se jeni dakord me gjithçka që ne kërkojmë, por nuk jeni dakord me formën se si ne protestojmë, atëherë protestoni në formën tuaj, por mos rrini duke bërë sehir, mos rrini duarkryq, mos rrini larg, sepse ajo ç’ka ndodh për mirë, është e mirë për të gjithë dhe ajo çka ndodh për keq, është e keqe për të gjithë.
Nuk shpëtoni sot nga e keqja të cilën ne po e luftojmë, duke u mjaftuar me konstatimin se ne kemi të drejtë kur themi se ja ku është e keqja, por nuk kemi gjetur formën e duhur për të protestuar kundër të keqes. Bëhuni pjesë e betejës për të protestuar kundër të keqes, gjeni formën tuaj. Dhe në rast se nuk e keni një formë, respektojeni formën tonë.
Në mbyllje dua ta përsëris se protesta jonë është shprehje e shpirtit tonë opozitar edhe e vizionit tonë për një Shqipëri evropiane, për një Shqipëri moderne, për një Shqipëri të mirëqenë, për një Shqipëri ku liria dhe e drejta e secilit janë mbi vullnetin e pushtetit mbi këdo. Në këtë rrugë të protestës ne kemi qenë dhe mbetemi gjithmonë të bindur se dialogu është i domosdoshëm dhe asnjëherë nuk i jemi larguar apo nuk e kemi refuzuar dialogun.
Por nga ana tjetër është sot dita për ta thënë se nuk mjafton të thuash se jemi gati për dialog, dhe këtë e kam për zotërinjtë e palës tjetër, por duhet të thuash se për çfarë dialogu je gati.
Grevistët e kanë bërë platformën e kërkesave tona parimore. Ne e mbështesim plotësisht atë platformë dhe kërkojmë që ato kërkesa të konsiderohen dhe të diskutohen një për një, në funksion të një zhvillimi të ri demokratik për vendin, në funksionin të një hopi të ri demokratik për zgjedhjet, për kuvendin, për median, drejtësinë.
Ne jemi këtu, jemi të gatshëm për dialog, por ndërkohë jemi të palëkundur për të vazhduar protestën tonë. Jemi të gatshëm të diskutojmë për të gjetur zgjidhjen dhe për t’i hapur rrugë garantimit të lirive dhe të drejtave për të cilat do të vazhdojmë të protestojmë. Nuk ka gabim më të madh, nuk ka iluzion më të gabuar se sa iluzioni se sa ne do të lodhemi dhe se ne do të tërhiqemi. Ne as nuk do të lodhemi, dhe as do tërhiqemi. Ne jemi këtu të vendosur e të palëkundur në kërkesën tonë për transparencë, transparencë, transparencë.