Rama-Protestat, Manifestime Te Nje Shpirti Opozitar
TIRANË, 11 Maj /ATSH/.- Gjatë protestës sot pasdite në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", ku prej ditësh zhvillohet greva e urisë e një grupi deputetësh socialistë dhe mbështetësve të tyre për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, Kryetari i PS , Edi Rama tha se "protestat janë manifestime të një shpirti opozitar, që qëndron i palëkundur dhe që mishërohet përmes qytetarësh që dalin në shënje solidariteti për këtë grevë".
Rama tha se kjo protestë nuk zhvillohet kundër policisë apo shtetit, "por kundër pushtetit që ka marrë peng liritë dhe të drejtat që duhet t'i lëshojë, ka marrë peng kutitë, ku qëndron arma që 'vrau'' zgjedhet e shkuara".
Duke theksuar se opozita është pro dialogut me maxhorancën, Rama tha se "mbështesim platformën prej 6 pikash dhe ato kërkesa të diskutohen një nga një në funksion të një zhvillimi demokratik për vendin".
Protestuesit u përshëndetën edhe nga drejtues të partive të tjera opozitare dhe deputetë të PS-së, të cilët ripërsëritën vendosmërinë për vazhdimin e grevës, deri ne plotësimin e kushteve të paracaktuara për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit./e.gj/s.s./