Rusi-Turqi - Medvedev Në Ankara Për Partneritet Strategjik
ANKARA, 11 maj /ATSH-ANSA/ - Pas një vizite në Damask, presidenti rus Dmitri Medvedev mbërrin mbrëmjen e sotme në Ankara për të promovuar një fazë të re në marrëdhëniet bilaterale dhe për të arritur në një "partneritet strategjik" që kaq shumë është dashur nga Moska dhe jo e mirëpritur nga Uashingtoni.
Gjatë vizitës së kreut të Kremlinit, i cili do të riniset pas dy ditësh, do të nënshkruhen rreth 20 marrëveshje ndër të cilat edhe ajo për heqjen e regjimit të vizave ndërmjet dy vendeve.
Por në qendër të bisedimeve do të jetë çështja energjetike. Rusia në fakt do të realizojë centralin e parë bërthamor turk, siç ka njoftuar më parë Medvedev në një intervistë për të përditshmen turke Zaman. Ndërkohë që shoqëria turke Gazprom dhe rusja Botas kanë rënë dakord për një formule të re çmimesh për furnizimet me gazin natyral drejt Turqisë, dhe gjithmonë sipas shtypit turk, palët do të nënshkruajnë një memorandum për uljen e çmimit me 10 për qind.
Marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Ankarasë dhe Moskës janë forcuar shumë në 10 vitet e fundit dhe volumi i shkëmbimeve arriti në 33 miliardë dollarë në vitin 2008, një shifër që Rusia kërkon ta trefishojë ose katërfishojë në pesë vitet e ardhshme.
Gjatë vizitës së Medvedev do të përbëhet edhe Këshilli i bashkëpunimit strategjik në nivel të lartë ndërmjet dy vendeve, një mekanizëm i ri konsultimesh ndërqeveritare që do të drejtohet nga kryeministrat e të dyja vendeve me qëllim për të promovuar harmonizimin e masave të politikës së jashtme për garantimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë ndërkombëtare.
/e.v/