English

Sarandë: Pritet Hapja E Eksportit Te Midhjes Ne Tregjet E Huaja

JA BUTRINT/SARANDË, 11 Maj/ATSH-Telnis Skuqi/ - Midhja e Butrintit, që prej 16 vjetësh prodhohet në liqenin me të njëjtin emër, vazhdon të ngelet jashtë tregut të Bashkimit Europian. "Punojmë brenda gjithë ligjeve dhe standardeve të tregut të Bashkimit Europian. Jam i pajisur me liçencë, paguaj rregullisht taksat, por midhja vazhdon të ngelet jashtë tregut ndërkombëtar", thotë peshkatari Adriatik Bufi, 57 vjeç. Bufi, tregon se midhja e Butrinit prej kohësh ka nisur të ndjehet dhe shijohet në Sarandë dhe moshapja e tregut ndërkombëtar ka pakësuar fitimet. "Mungesa e tregut prej vitit 1994, ka bërë që çdo sezon të mos nxirren më shumë se 10 kv midhje", shprehet Bufi. Bufi garanton se midhja e Butrintit i plotëson të gjitha kushtet për eksport, por grupet e interesit përtej kufinjve kanë lobuar kundër midhjes shqiptare. "Është absurde, sepse vendi ynë laget nga deti Adriatik e Jon, sikurse edhe Italia e Greqia. Por ndërsa ato prodhojnë e eksportojnë pa problem, ne vuajmë një embargo të heshtur", shprehet Bufi. Arjan Demiri, drejtor i Ndërmarrjes së Peshkut, thotë se midhja e Butrintit ka dalë në treg, por edhe sivjet, dyert e tregut europian nuk do të hapen. Sipas tij, rreth 70 subjekte merren prej 16 vjetësh me kultivimin e midhjes, si aktivitet privat. "Testet tregojnë se ajo (midhja) plotëson gjithë parametrat", thotë Demiri. Për të, kultivimi dhe prodhimi i midhjes ka vlera të rralla ushqyese, të shëndetëshme aq të dëshiruara për tregun ndërkombëtar. "Të gjitha përpjekjet e thyerjes së bllokadës i kemi provuar. Madje, kemi pranuar si garant të midhjes sonë italianët, por nuk ia kemi dalë", shton ai. Agim Mato, nga Saranda, 60 vjeç, poet, është një konsumator i rregullt i midhjes. Ai thotë se po të shikosh me sy të lirë midhjen, ka pamjen e një mbretëreshe të ujërave që nuk ka të sharë. "Midhja?!... E pastër nga sëmundjet, pa ngarkesa mikrobike dhe toksike. Fatmirësisht në atë zonë nuk nuk ka asnjë lloj industrie kimike, që të ketë derdhje në liqenin e Butrintit. Midhja ka rritje normale dhe kjo tregon që ujërat janë shumë të pastra", shprehet Mato. Dragush P., inspektor veterinar për molusqet pranë drejtorisë së bujqësisë dhe ushqimit të nënprefekturës së Sarandës, thotë se për kultivimin dhe tregtimin të midhjes ka disa direktiva të Bashkimit Europian. "Liqeni i Butrintit kufizohet nga formacione të qëndrueshme natyrore, prandaj rezulton me ndotje zero", shprehet Dragushi. Dragushi mendon se eksporti i midhjes shqiptare do t'i japë shtytje prodhimit, si dhe do të rrisë konkurrencën e ndershme në tregun europian. "Mos eksportimi i midhjes shqiptare drejt tregut të Bashkimit Europian i shkakton humbje buxhetit të shtetit,", thotë Dragushi. Dragushi pranon faktin se konsumi në tregun vendas është në nivel minimal, veçanërisht në zonat bregdetare. "Ajo është shumë e ushqyeshme, me shumë variacion në gatim dhe me një çmim të përballueshëm për çdo konsumator, që shkon 250-300 lekë kilogrami", thotë Dragushi. Altin Preja nga Instituti i Kërkimeve Veterinare thotë se kultivimi i midhjes në liqenin e Butrintit monitorohet dy herë në muaj nga institucioni i specializuar. Specialistët thonë se nga shërbimet e kryera në 55 impiantet aktivë të kultivimit, nga prodhimi sivjet do të merren jo më pak se 12 mijë kv midhje, nga 10 mijë kv që ishte një vit më parë./ch/
KOMENTE