English

Sport-Futboll / Uefa Bonus Shqipërisë, 5 Ekipe Në Kupat E Evropës

- Skuadrat e Teutës, Skënderbeut dhe Apolonisë, janë në garë për një vend Ligën Evropiane si ekipe "fair-play". TIRANË, 11 Maj / ATSH- Gjergji Mima/ - Shqipëria ka mundësi të përfaqësohet me pesë skuadra këtë sezon në Kupat e Evropës, jo me katër si çdo vit tjetër. Mungon ende zyrtarizimi, por UEFA ka kërkuar nga Federata Shqiptare e Futbollit të hartojë një listë me skuadrat më "fair-play" të sezonit në kampionatin shqiptar. Çdo vit, institucioni qëndror i futbollit në kontinent zgjedh disa skuadra për fair-play-n e treguar gjatë sezonit futbollistik dhe këtë vit, një skuadër duket se do të jetë nga Shqipëria. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të FSHF-së, të cilat bëjnë të ditur se Shqipëria është shumë pranë fitimit të një tjetër vendi në Europa League për këtë edicion. UEFA pritet të japë OK-in në ditët e ardhshme, ndërkohë që kriteret e skuadrave shqiptare do të dërgohen në Nion nga FSHF. Federata ka përcaktuar tashmë edhe skuadrat që kanë më shumë shanse për të fituar çmimin fair-play dhe ato janë Teuta, Skënderbeu apo edhe Apolonia. Ajo që bie në sy është fakti se në këtë listë mungojnë skuadra si, Vllaznia, Shkumbini apo Flamurtari, që ndodhen më lart në renditje se tre ekipet e mësipërme. Mungesa e Vllaznisë në këtë listë të përpiluar paraprakisht nga FSHF lidhet me faktin se shkodranët janë nën hetim për trukim rezultatesh në Kupat e Evropës, gjë që në sytë e drejtuesve të UEFA-s nuk do të dukej një gjë e mirë. Ndërkohë, përsa i përket Flamurtarit, futja në fushë e kryetarit të bashkisë, Shpëtim Gjika, në ndeshjen me Besën e Kavajës, ka bërë që edhe ky klub të mos ketë shumë shanse në renditjen për fair-play-n. Ndërkohë edhe Shkumbini duket i përjashtuar nga kjo "garë", pas goditjes së rëndë që iu bë në stadium trajnerit të Besës, Shpëtim Duro. Të vetmet skuadra që nuk janë përfshirë në akte dhune gjatë këtij sezoni janë Teuta, Skënderbeu dhe Apolonia dhe dy të parat janë favorite ndaj fierakëve. Durrësi ka qenë edhe gjatë këtij viti një prej qyteteve më të qeta, ashtu si edhe Korça. Për këto ekipe mbetet për t'u parë nëse do të qëndrojnë apo jo në Superligë për te vendosur më pas se cila është skuadra më fair-play në Shqipëri. Pak vjet më parë, një çmim të tillë e ka fituar Teuta, e cila më pas shkoi në paraeliminatoret e Kupës UEFA. Ndërkohë, zyrtarizimi pritet të bëhet vetëm pas fundit të kampionatit. /a.ke/
KOMENTE