Sport-Shah/ Përcaktohet Kombëtarja E Olimpiadës Botërore Te Shahut
- Ndërkohë, shahisti i Teutës, Lorenc Rama, u shpall kampion i vendit për të 5-ën herë -
TIRANË, 11 Maj / ATSH- Gjergji Mima/. - Ka përfunduar në Tiranë kampionati i 66-të individual i shahut për të rritur, i zhvilluar me 9 ture me sistemin zviceran në sallën qëndrore të Federatës Shqiptare të Shahut, ku morën pjesë 66 shahistë.
Kampion i Shqipërisë u shpall shahisti i Teutës, Lorenc Rama, me 7.5 pikë, teksa 6 ndeshje i mbylli me fitore dhe 3 në barazim. Rama u shpall kampion i vendit për të 5-ën herë, pas atyre të fituara në 2001 me Teutën, 2002 me Dinamon, 2004 me Studentin dhe në 2008 po me Teutën.
Rama arriti të mposhtë kampionin e vitit të shkuar, Ilir Seitaj, që u rendit i dyti me 6.5 pikë, ndërsa në vend të tretë u rendit shahistja e vetme femër në 10-shen më të mirë, Eglantina Shabanaj, që arriti ne 6.5 pikë.
Ndërkohë, sot komiteti drejtues i Federatës së Shahut publikoi edhe listën e shahistëve që do të marrin pjesë në Olimpiadën e 39-të Botërore, qe do te zhvillohet nga 19 shtatori deri në 4 tetor në Mansisk të Rusisë.
Shqipëria do të përfaqësohet me 5 shahistë që janë: Erald Dervishi, Dritan Mehmeti, Ilir Seitaj, Lorenc Rama dhe Harallamb Boshku, si dhe trajneri Shkëlqim Mema.
Sipas sekretarit të FSHSH-së, Sadri Bejleri, "ky vendim u me shpejtesi nga komiteti drejtues, pasi data 15 maj është afati i fundit i akreditimit të delegacioneve pranë komitetit organizator të FIDE-s. /a.ke/