English

Të ndjehesh qytetar i botës së lirë

Shqiptarët asnjëherë nuk kanë përjetuar ndjesinë e diskriminimit dhe përçmimit në këtë vend, përkundrazi, ata janë ndierë si qytetarë të botës së lirë, me të gjitha të drejtat dhe shanset e barabarta që zotëron një vend si Amerika, i cili i ka ofruar botës një model unik në zhvillimin dhe përparimin e mëtejshëm të demokracisë dhe jetës sociale në shoqërinë e sotme

Ferdinand Xhaferaj

Në detyrën e Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, krahas përgjegjësive dhe angazhimeve të shumta, kam patur rastin të përjetoj emocionet dhe kënaqësitë që të fal puna me artin dhe kulturën. Por sot, ndryshe nga herët e tjera, ndjesia e pjesëmarrjes në këtë veprimtari është e një karakteri të veçantë. Kjo, pasi sot, po promovojnë profilin e kulturës dhe qytetarisë shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Që nga koha kur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shkeli shqiptari i parë e, deri në ditët e sotme, në marrëdhëniet midis dy popujve është përvijuar historia e bashkëjetesës dhe marrëdhënieve shumëplanëshe. Një pjesë shumë përfaqësuese e kësaj historie është fokusuar në celuloidin e një prej artistëve më të spikatur të artit të fotografisë, Roland Tashos.

Kohë më parë, kur u njoha me projektin e Z. Tasho, vura re se në të nuk shfaqej thjesht dëshira e një artisti që i është nënshtruar muzës së tij, përkundrazi, objektivi i tij përhapej përtej kontinentit evropian, të cilin Tasho me aparatin e tij tashmë e kish eksploruar. Në këtë rast, arti nuk kapej thjesht pas trillit, por pas atij realiteti i cili përshkon përditshmërinë dhe vetëdijen e çdo shqiptari ne SH.B.A., aty gjendet Shqipëria Tjetër.

Sigurisht që shumë prej nesh janë njohur dhe kanë admiruar muzikën e Blues Brothers, artin që përcjell krijimtaria regjizoriale e të madhit Sten Dragoti, interpretimi i aktores Eliza Dushku, apo Ferid Muratin laurantin e çmimit Nobel në mjekësi, e shumë emrave të tjerë të cilët, janë jo vetëm krenaria e kulturës sonë kombëtare por me emrin e tyre kane kapërcyer ndjeshëm dimensionet e Shqipërisë. Është pikërisht edhe kjo pjesë e Shqipërisë, një faktor që kontribuon dhe bashkëjeton me zhvillimin, kulturën dhe qytetarinë amerikane.

Në përmbajtjen e kësaj ekspozite dhe të albumit që po përurojmë sot, do të shohim se si shumë prej bashkëkombësve tanë kanë mundur të afirmojnë aftësitë, vlerat e tyre humane dhe profesionale, falë sistemit social dhe demokratik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shqiptarët asnjëherë nuk kanë përjetuar ndjesinë e diskriminimit dhe përçmimit në këtë vend, përkundrazi, ata janë ndierë si qytetarë të botës së lirë, me të gjitha të drejtat dhe shanset e barabarta që zotëron një vend si Amerika, i cili i ka ofruar botës një model unik në zhvillimin dhe përparimin e mëtejshëm të demokracisë dhe jetës sociale në shoqërinë e sotme.

Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve prej disa muajsh, ka ngritur në organikën e saj, një strukturë të posaçme për përkujdesjen ndaj vlerave të kulturës së diasporës dhe minoriteteve, strukturë e cila do të mundësojë me anë të projekteve dhe veprimtarive të ndryshme artistike dhe kulturore, të promovojë risitë dhe prirjet më të spikatura të artit dhe kulturës shqiptare kudo ku ajo lëvrohet nëpër botë.

Edhe botimi dhe hapja e kësaj ekspozite, në të cilën MTKRS ka dhënë kontributin e saj, është një dëshmi se shteti shqiptar së bashku me partnerët e tij ndërkombëtarë, kanë për qëllim të mbrojnë dhe të promovojnë vlerat përfaqësuese të shoqërisë bashkëkohore shqiptare.

KOMENTE