Tiranë, 11 Maj, NOA – Në kërkim të një zgjidhje për situatën politike në vend, Presidenti Bamir Topi ka zhvilluar sot takime me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Xhon Uithers dhe Ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobio de Balanse.
Zyra e Shtypit e Presidencës sqaron se tema e takimit mes diplomatëve dhe Presidenti të vendit ka qenë gjetja e zgjidhjes për situatën politike në vend. Në njoftimin zyrtar theksohet se është diskutuar për “gjetjen e rrugëve kushtetuese” dhe nisjen sa më parë të dialogut.
“Gjatë takimit u bisedua rreth situatës më të fundit politike në vend, përpjekjeve, mundësive e rrugëve kushtetuese dhe institucionale për të zgjidhur në një kohë sa më të shpejtë dhe normalizuar situatën politike në vend”, njofton Presidenca.
Por jashtë vëmendjes së kreut të shtetit dhe diplomatëve më të rëndësishëm në vend nuk ka mbetur dhe reforma në sistemin e drejtësisë.
Presidenti Topi dhe Ambasadori Uithers e Ambasadori Montobio diskutuan edhe për nevojën e vazhdimit të reformës në gjyqësor duke nënvizuar rëndësinë e një sistemi gjyqësor plotësisht të paanshëm e profesional, thekson njoftimi i Presidencës duke e lidhur në një farë mënyrë dhe situatën politike në vend me sistemin e drejtësisë.
m.xh.NOA