English

Amc Dhuron Pajisje Moderne Per Kurimin E Femijeve Me Semundje Te Renda Te Gjakut

TIRANE, 12 Maj/ATSH/- Një pjesë të të ardhurave nga mesazhet e dërguara në natën e ndërimit të viteve, AMC, kompania e telefonisë mobile i ka kthyer në pajisjet më të fundit mjekësore për kurimin e fëmijëve me sëmundje të rënda të gjakut dhe tumoret pediatrike, të cilat ja dhuroi sot Shërbimit të Onkohematologjisë Pediatrike në spitalin Nënë TerezaTiranë. Në kuadër të nismës "Mesazhe Shprese", AMC sponsorizoi blerjen e tre paneleve të fluksit të oksigjenit për lehtësimin e frymëmarrjes së fëmijëve të sëmurë rëndë, shiringa elektrike, pompa infuzore për llogaritjen sa më të saktë të kemiopreparateve për dhënien e tyre në kohë të përcaktuar me saktësi, për të ulur toksicitetin e lartë të tyre si dhe kape inhalatore me fluks laminar. Drejtori Ekzekutiv i AMC, Stefanos Oktapodas duke vizituar sot Pavionin e Onkohematologjisë Pediatrike, shprehu gatishmërinë personale dhe të kompanisë që drejton për të ndihmuar dhe mbështetur kurimin dhe shërimin e fëmijë të sëmurë që trajtohen çdo ditë në këtë spital. "Nuk ka gjë më të shtrenjtë në botë se sa jeta e çdo fëmije, të shpëtosh një jetë është privilegj. Ndaj do ta quaj një nder të veçantë mundësinë që i dhatë AMC të kontribojë për modernizimin e pajisjeve me të cilat kurohen këta fëmijë", tha Oktapodas. Shefja e Shërbimit të Onkohematologjisë Pediatrike, prof. Anila Godo në emër të personelit falenderoi AMC për mbështetjen e dhënë, duke vlerësuar se është hera e parë që një kompani private që operon në Shqipëri mbështet këtë shërbim me aparate bashkëkohore për kurimin e fëmijëve me sëmundje të rënda. Shërbimi i Onkohematologjise Pediatrisë përfshin shërbimin spitalor e ditor të ndjekjes dhe trajtimit të neoplazive si dhe qendrën e ndjekjes dhe trajtimit të hemoglobinopative, ku trajohen patologjitë malinje dhe jo malinje të gjakut, tumoret solide dhe hemoglobinopatite e lindura. Ky është shërbim i vetëm i këtij lloji në vend dhe ku prej më shumë se 10 vjetësh, ndiqen e trajtohen edhe një numër i madh rastesh nga vendet fqinje./n.m/
KOMENTE