English

Berisha: Çdo Investim, Për T'A Kthyer Kamzen Ne Një Qytet Modern

-Kryeministri Sali Berisha përuroi sot në Bashkinë e Kamzës fillimin e punimeve në disa projekte infrastrukturore- TRANE, 12 Maj/ATSH, A.Gegavataj/.- "Qeveria do të bëjë çdo investim për t'a shndërruar Kamzën në një nga qytetet më moderne të Shqipërisë", garantoi sot pasdite banorët e Kamzës Kryeministri Sali Berisha duke prerë shiritat e përurimit të disa veprave, që kapin shumën prej 400 milion lekë në qytetin, vetëm disa kilometra larg Tiranës. "Ne inaguruam rrugën që mban emrin e tribunit legjendar të lirisë së shqiptarëve, heroit të lëvizjes studentore, Azem Hajdari", tha kryeministri Berisha, duke shtuar dhe "përurimin e sistemit modern të kanalizimeve, ndërsa në këtë shesh përuruam autostraden që lidh Kamzen me Tapizën, investim madhor ky, me trotuare me kater korsi, me sistemet dhe sinjalistikën më moderne në rrugët e vendit". Berisha bëri të ditur se qeveria gjatë vitit 2009 ka investuar në këtë Bashki shumën prej 1 miliard lekë. "Në vitet 2009 -2010 u ndërtuan 4 shkolla të reja me vlerë 500 milion lekë, janë në vazhdim dhe po ndërtohen tre të tjera me një vlerë prej 450 milion lekësh", tha Kryeministri Berisha. Duke u ndalur tek investimet e reja që e presin Bashkinë e Kamzës, Berisha u bëri të ditur banorëve të saj se i ka kërkuar deputetit të zonës, ministrit të Arsimit që të bisedojë me kryetarin e Bashkisë për të gjetur truallin dhe të nisin ndërtesën e një apo dy të tjerave, me qëllim, që "fëmijët tuaj të ulen në bankat e shkollave me standartet më moderne". Më tej, kryeministri përmendi dhe investimet e kryera në këtë bashki, "ku është ndërtuar dhe Qëndra e Arsimit Profesional me vlerë 500 milion lekë si dhe Pallati i Kulturës me standartet më të mira", duke vijuar se "ka përfunduar rrjeti i shpërndarjes dhe furnizimit me energji 20 kilovolt me investimin prej 10 milionë euro, ndërsa së shpejti do të bëhte fizibiliteti për projektin e ujësjellësit dhe kanalizimeve me vlerë 6 miliard lekë investime". Ndërsa cilësoi se në këto 4 vitet e fundit në Bashkinë e Kamzës janë asfaltuar 30 km rrugë të standarteve më të mira të qyteteve të vëndit, Kryeministri Berisha tha se "gjate 2010 do të asfaltohen edhe 15 km të tjera të cdo rruge dhe rrugice të këtij qyteti". Në Bashkinë e Kamzës, Kryeministri Sali Berisha përuroi sot pasdite fillimin e punimeve për rrugën "Azem hajdari" në bathore, me vlerë 28 milionë lekë, në KUZ Frutikulturë me fondet e DPUK me vlerë 38 milionë lekë dhe rrugën kombëtare Bashki-Ura e Tapizës nga DPRR me vlerë 361, 5 milionë lekë./n.m/
KOMENTE