Berisha: Dita E Evropës, Motiv I Fuqishëm Në Rrugën E Reformave
TIRANË, 12 Maj/ATSH/.- Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se "Dita e Evropës është dita që përbën një motiv të fuqishëm pune, përkushtimi e dedikimi në rrugën e reformave që e shndërrojnë çdo ditë e më shumë në realitet, idealin evropian të shqiptarëve".
Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në pritjen e organizuar në Hotel Rogner nga ambasadori i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Helmuth Lohan , në kuadër të 9 majit, Ditës së Evropës.
Në një prononcim për gazetarët e pranishëm, kryeministri tha se "kjo është një ditë në të cilën kremtohet 9 maji, dita e themelimit të asaj, që shtetarë të ndryshëm e kanë quajtur mrekullia më e madhe e Evropës, që nga koha e rilindjes së saj, Bashkimit Evropian".
Duke e cilësuar ditën e idealit më fisnik të qytetarëve të Evropës, idealit të paqes, bashkëpunimit dhe prosperitetit, kryeministri Berisha nënvizoi se "ky ideal është përqafuar nga ky komb me përqindjen më të madhe se nga çdo komb tjetër, ç'ka përbën një forcë të madhe të jashtëzakonshme, shtytëse përpara për Shqipërinë drejt BE-së".
Në pritjen që organizoi sot Delegacioni i BE-së në Tiranë në Hotel Rogner, ishin të pranishëm personalitetet më të larta të vendit, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të Organizatave Ndërkombëtare në Shqipëri, përfaqësues të trupit diplomatik, gazetarë, etj./a.s//n.m/