Berisha, Mesazh Urimi Homologut Anglez, David Cameron Me Rastin E Emërimit Si Kryeminister
TIRANË, 12 Maj/ ATSH/- Kryeministri Sali Berisha i dërgoi sot një mesazh urimi Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, z. David Cameron, me rastin e emërimit në këtë detyrë.
Sipas zyrës për shtyp të kryeministrisë, në mesazhin e urimit, Kryeministri Berisha shprehet se, "kam kënaqësinë e veçantë, që me rastin e emërimit tuaj Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, t'iu përcjell në emrin tim dhe qeverisë shqiptare, si dhe në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore për sukses të plotë në misionin fisnik përpara jush".
"Fitorja juaj në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe krijimi i qeverisë së koalicionit përbëjnë një kthesë historike për Partinë Konservatore, por, njëkohësisht, edhe një ngjarje të shënuar për konservatorizmin në mbarë botën", thuhet në mesazhin e Kryeministrit Berisha.
Kreu i qeverisë thekson se, "Partia Konservatore, si njëra ndër aleatet më të ngushta, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshmëm në përpjekjet tona fillimisht për rindërtimin e demokracisë e të shtetit ligjor në Shqipëri, bazuar në ekonominë e tregut të lirë, e më pas për konsolidimin e institucioneve dhe për integrimin e shpejtë në NATO e në Bashkimin Europian të Shqipërisë".
Duke u ndalur te anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, Kryeministri Berisha shprehet se, "Mbretëria e Bashkuar mbështeti fuqishëm anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe vazhdon të përkrahë të gjitha hapat e vendit tim në kuadër të projektit tonë madhor kombëtar, anëtarësimit të plotë në BE".
Ai shton më tej se, "qeveria shqiptare është tërësisht e vendosur t'i konsolidojë edhe më tej marrëdhëniet e mira e miqësore, si dhe ta intensifikojë e ta thellojë bashkëpunimin në të gjitha fushat, në veçanti atë ekonomik e tregtar dhe promovimin e investimeve të ndërsjella, në dobi të interesit më të mirë të të dyja vendeve e popujve"./s.d//n.m/