English

Berisha: Perceptimi Për Korrupsionin, Paralajmërim Për Të Vazhduar Këtë Betejë

TIRANE, 12 Maj/ATSH-A. Gjonaj/ -Perceptimi për korrupsionin fatkeqësisht është i lartë edhe në vende me korrupsion të ulët, deklaroi të mërkurën Kryeministri Sali Berisha, ndërsa u shpreh se "perceptimin duhet t'a marrim si një paralajmërim për të vazhduar këtë betejë". Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Drejtorin e Transparency International në Departamentin e Europës dhe Azisë Qendrore, Miklos Marschall, Kryeministri Berisha tha se "eurobarometri nxjerr 70 % perceptimin e korrupsionit në vendet anëtare të Bashkimit Europian, ndërsa shkalla e ryshfetit llogaritet 6-9 %". Sipas tij, "detyra e vendimmarrësve është të luftojnë çdo hallkë për parandalimin, zvogëlimin ose ndëshkimin e tij", pasi në Shqipëri kjo shkallë është qartësisht më e lartë. Kreu i qeverisë u shpreh se perceptimin duhet t'a marrim si një paralajmërim për të vazhduar këtë betejë, duke shtuar se "një gjë është e sigurt, rezultatet tona në luftën kundër korrupsionit janë konkrete dhe të prekshme" Duke u ndalur në luftën konkrete ndaj korrupsionit në pranimet universitare Berisha tha se "nëse pranimet universitare para 4 vitesh ishin panairi i korrupsionit, ka tre vjet që ka zero korrupsion". Ndërkohë, sipas tij, "mbeten hallka të tjera për t'u nxjerrë jashtë dhe më duhet të them se korrupsioni është një fenomen që nuk çrrënjoset, por që luftohet"./s.s./
KOMENTE