Berisha: Reformat, Rruga Kryesore Për Parandalimin E Korrupsionit
- Kryeministri Berisha përshëndet Konferencën e Transparency International në takimin vjetor për Europën dhe Azinë Qendrore, në Tiranë -
TIRANE, 12 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot, se "reformat janë rruga kryesore për parandalimin e korrupsionit, ndërsa penalizimi mbetet faktor kryesor për suksesin e kësaj lufte".
Kryeministri Berisha përshëndeti sot Konferencën e Transparency International në takimin vjetor për Europën dhe Azinë Qendrore, që u zhvillua në Hotel Tirana International.
Duke e cilësuar shoqërinë civile, një faktor kryesor në luftën kundër korrupsionit, Kreu i Qeverisë siguroi se "qeveria do bëjë çdo përpjekje për aktivizimin e shoqërisë civile në luftën kundër këtij fenomeni".
"Ne kemi përcaktuar një fond për shoqërinë civile që ato të qëndrojnë të ashpra dhe transparente kundër korrupsionit të sektorit publik. Ndërsa korrupsioni në sektorin privat është shumë më i vështirë dhe kërkon reforma të thella për ti dhënë përgjigje këtij fenomeni", tha Kryeministri Berisha.
Duke referuar progresit të Shqipërisë në reformat antikorrupsion, Kreu i Qeverisë theksoi se "korrupsioni është një difekt gjenetik i qenies njerëzore dhe genet e tij që drejtojnë babëzinë gjenden në çdo qenie njerëzore".
Kushti i parë në luftën kundër korrupsionit, sipas Kryeministrit Berisha, "është beteja e vazhdueshme me babëzinë tënde". Duke theksuar se në themel të korrupsionit qëndron babëzia njerëzore, Kryeministri solli si shembull rastin e krizës piramidale që ndodhi në Shqipërinë e pas viteve '90, ku ende nuk ekzistonin ligje dhe rregulla të forta financiare, dhe krizën botërore financiare (2008-2009), një piramidë korrupsioni që, sipas tij, nisi në një vend ku janë të pranishme qindra ligje që e ndalojnë një tirani të tillë financiare.
"Lufta kundër korrupsionit ka sukses vetëm nëse merresh me 'oborrin' tënd, ndaj kjo është hera e fundit që do më gjeni të merrem me korrupsionin në vende të tjera, sepse kam ende probleme në vendin tim", tha Kryeministri Berisha, duke i'u drejtuar të pranishmëve.
Korrupsioni, sipas Kryeministrit Berisha, "është baza e të gjitha të këqiave, pasi nuk gjen dot emërues të përbashkët më solid dhe të fuqishëm se korrupsioni për të këqiat e një individi".
Kryeministri e cilësoi korrupsionin si armikun më të madh për njeriun dhe gjeneratorin kryesor të krimit, sëmundjes dhe varfërisë".
Duke u ndalur te masat antikorrupsion të ndërmarra nga qeveria, kryeministri Berisha theksoi se "vendosja e një administrate të vogël është kusht i domosdoshëm për të luftuar korrupsionin". "Sa më e madhe të jetë sipërfaqja shtetërore në shoqëri, aq më e madhe është potenciali i korrupsionit. Një nga aktet e para të kësaj qeverie 4 vjet më parë ishte shkurtimi me 33 përqind i administratës shtetërore. Ne vendosëm disa kritere që bëjnë transparencë në shërbimet publike dhe nuk lejojnë që ato të bëhen për qëllime private", tha Kryeministri Berisha.
Ai theksoi se në sajë të zbatimit të parimit të një "qeverie në dietë", u ulën shpenzimet operative të administratës nga 8 për qind e GDP-së në 2 për qind të GDP-së".
Duke renditur disa nga ligjet e miratuara nga qeveria në kuadër të kësaj lufte, Kryeministri vlerësoi miratimin e ligjit për transportin e zyrtarëve të lartë, dhe ligjit kundër konfliktit të interesave.
Sipas tij "Qeveria ia ka dalë të bëjë një transformim tërësor në sistemin e doganave dhe tatimeve, ku me ndihmën e USAID-it u vendosën taksat elektronike. Masa të rëndësishme, tha Kreu i Qeverisë, janë marrë edhe në luftën kundër evazionit, kontrabandës dhe informalitetit.
"Ne bëmë një ulje të madhe taksash, por në sajë të luftës kundër korrupsionit arritëm të mbledhin 5.2 miliard dollarë më shumë se në 4 vite më parë dhe kjo duke patur një barrë fiskale 80 për qind më të ulët", tha Kryeministri Berisha.
Nuk mund të themi se sistemi ynë tatimor dhe doganor është tërësisht jashtë korrupsionit, por sipas Kreut të Ekzekutivit ka një luftë inkurajuese dhe të suksesshme në këtë drejtim.
Kryeministri u ndal edhe prokurimet publike, duke theksuar se heqja e prokurimeve manuale dhe vendosja e prokurimeve 100 për qind elektronike, bënë që OKB të rendisë Shqipërinë si vendin e dytë në botë për transparencën e prokurimeve publike.
Ligji për koncensionet ku qeveria nuk lejohet të japë direkt koncensione, sipas Kryeministrit Berisha, "ka sjellë përmirësime të ndjeshme në procedurat antikorrupsion dhe ka rritur shumë transparencën".
"Sot ka një klimë krejt tjetër dhe investimet e huaja janë rritur 4 herë krahasuar me 1 vit më parë, Por sërish ekziston korrupsioni në sistemin shëndetësor, ku qeveria po studion çdo hallkë për reduktimin e këtij fenomeni. Progres të madh ne kemi bërë në pranimet në universitete ku nuk ka më korrupsion në provimet universitare", tha Kryeministri Berisha.
Ai theksoi se ka ende probleme me korrupsionin në hipoteka, regjistrimin e pronave dhe kontrollin e automjeteve, një shërbim që pas procesit të privatizimit pritet të reduktojë procedurat korruptive.
Kryeministri Berisha theksoi se "në Tiranë është krijuar një Taske Force për luftën kundër korrupsionit e cila ka penalizuar mbi 200 zyrtarë të të gjitha niveleve". Sipas tij "gjatë këtij viti kjo Taske Force do shtrihet në 6 qarqe të mëdha të vendit".
/f.n/