Bosch: Partitë Politke Duhet Të Bëjnë Publike Shpenzimet E Tyre Financiare Gjatë Fushatave Elektorale
TIRANË, 12 Maj/ ATSH/- "Partitë politike duhet të zbatojnë Kushtetutën e Shqipërsisë për të bërë publike shpenzimet e tyre financiare gjate fushatave elektorale", kështu deklaroi Kreu i Presencës se OSBE-së në Shqipëri Robert Bosch.
I pranishëm në Konferencën e Transparency International , që u zhvillua sot në Hotel Tirana International, Bosch tha se, "shkalla e informimit të publikut për përmasat dhe strukturën e buxhetit të partive politike është krejtësisht e pamjaftueshme".
Ai vuri në dukje se, " shumë parti politike evropiane i publikojnë online buxhetin dhe raportet buxhetore të tyre, por kjo nuk ndodh në Shqipëri. Raporte kontrolli mund të gjejmë në faqen e internetit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, madje dhe atëherë informacioni që mund të marrim, është fragmentar".
Në këtë drejtim Bosch tha se, "ne kemi nevojë të shohim urgjentisht një reformë në mënyrën e rregullimit të financimit të partive politike".
Sipas tij, "kjo reformë duhet të ndodhë si pjesë e një pakete më të gjerë reforme elektorale dhe, duke qenë më pak se një vit larg zgjedhjeve të pritshme vendore, ky proces duhet të fillojë pa humbur më kohë". /s.d/