English

Britani E Madhe - Zgjedhje - Shtypi Përshëndet Qeverinë E Koalicionit "Historik"

LONDËR, 12 maj /ATSH-AFP/ - Shtypi britanik e vuri theksin sot në ngjarjen "historike" që përbën për Britaninë e Mdhe ardhja në pushtet e kryeministrit të ri konservator David Cameron në krye të një qeverie koalicioni, por nënvizon gjithashtu gamën e detyrës me të cilën ai do të përballet. Shumica e gazetave publikojnë në faqe të parë një foto të David Cameron dhe të bashkëshortes së tij Samantha, të lumtur dhe duke përshëndetur publikun me dorë, përpara 10, Downing Street, selia e pushtetit e lakmuar prej kohësh nga lideri konservator. "Cameron, kryeministër", titulli i shkurtër i të përditshmes konservatore "Daily Telegraph" që thekson se lideri konservator arriti me liberaldemokratët "një koalicion historik". Revista e ilustruar "The Sun" njofton triumfalisht ardhjen e një epoke të re me titullin "Dave New World", në një lojë fjalësh me "Brave New World", romani i Aldous Huxley titulli i të cilit përkthehet "Më e mira e botëve". "Times", e qendrës së djathtë kishte si titull kryesor: "Përqafoni ndryshimin". "Lideri konservator hapi një epokë të re politike duke paralajmëruar se një detyrë e vështirë e pret qeverinë e re", thuhet në gazetë. "Cameron zbarkon" paralajmëron në faqen e parë e përditshmja "Guardian", duke theksuar se Britania e Madhe po bën në këtë mënyrë një hap drejt së panjohurës, duke miratuar një qeveri koalicioni të paprecedent që prej Luftës së Dytë Botërore. Gazeta e qendrës së majtë vëren se ministri i ri i Financave "George Osborne po përballet me "luftën e parë" dhe do të ketë "detyrën pak të lakmueshme të bindë financierët se është i aftë ta bëjë këtë punë". "Financial Times" kujton se "Dera po mbyllet pas 13 vjetësh qeverisjeje të laburistëve" Sipas editorialistit Philip Stevens, "politika britanike është e mbushur me momente të përshkruara si historike, por ky i fundit pritet t'i rezistojë provës së kohës". Megjithatë "nuk është shumë e qartë nëse koalicioni i ri do të jetë po aq rezistent", thekson ai lidhur me vështirësitë ekonomike të vendit që janë injoruar gjatë pazareve të ditëve të fundit. "Cameron dhe Clegg u shprehën se janë bashkuar për të formuar një qeveri të qëndrueshme. Tashmë ata duhet të ndajnë turpin e pashmangshëm për disa nga vendimet më të vështira për Britaninë e Madhe, që prej epokës së Çurçillit", paralajmëron ai. /I.Pu.
KOMENTE