Bsh: Bankat Tregtare Paraqesin Qendrueshmëri Dhe Siguri
TIRANE, 12 Maj /ATSH-E.Xhajanka/- Bankat tregtare ose bankat e nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri paraqesin qëndrueshmëri dhe garantojnë se janë në gjendje të përballojnë me sukses probleme shumë herë më të rënda nga sa kanë përballuar gjatë vitit 2009, bëri të ditur sot Banka e Shqipërisë në raportin e vet për stabilitetin financiar të vendit.
BSH ka llogaritur se çfarë problemesh mund të hasin bankat në rast se përballen me zhvlerësim të mëtejshëm të lekut dhe me rritje të mëtejshme të kredive të këqija dhe ka dalë në konkluzionin se edhe në rast se skenari më pesimist realizohet, sërish sistemi bankar nuk do të ketë probleme.
Sipas këtyre llogarive, në rast se leku nuk dobësohet më tej kundrejt euros gjatë këtij viti, sasia e kredive të këqija në sistemin bankar nuk do të rritet më tej. Kjo do të thotë se niveli aktual prej 11.7 për qind mund të konsiderohet si kulmi i krizës.
Por në rast se leku do të zhvlerësohet me 5 për qind të tjera, kreditë e këqija mund të rriten deri në 15.5 për qind nga fundi i këtij viti, sipas skenarit të dytë. Edhe në këtë rast, bankat nuk do të paraqesin asnjë problem, pasi humbjet e pësuara nga kreditë e këqija do të mbulohen me lehtësi nga fitimet e këtij viti.
I njëjti konkluzion është edhe në rast se leku zhvlerësohet me 10 për qind. Në këtë rast, kreditë e këqija mund të arrijnë në 16 për qind, por sërish bankat nuk do të përballen me humbje të konsiderueshme financiare. Vetëm në rast se leku zhvlerësohet me 20 për qind, atëherë kreditë e këqija mund të arrijnë në 25 për qind. Sipas këtij skenari ekstrem, pronarët e bankave do të detyrohen të derdhin rreth 40 milionë dollarë kapital shtesë për të mbuluar humbjet.
Sistemi bankar shqiptar ka rezultuar i qëndrueshëm veçanërisht gjatë krizës së vitit të kaluar. BSH ka ndërmarrë disa nisma për të detyruar bankat që të informojnë klientët për kostot e shërbimeve bankare, megjithatë, kontratat me bankat mbeten ende të hapura në dëm të klientëve./s.s./