Tiranë, 12 maj, NOA, Milena Selmi - Në një konferencë për shtyp, organizuar sot paradite në ambientet e Teatrit Kombëtar u njoftua për shtyrjen e premierës “Darka e gabuar” , shfaqje e cila do të jetë gati për publikun në datën 15 maj 2010.
Shtyrja u bë për disa arsye teknike, të pashpjeguara qartë nga stafi realizues. Kjo vepër e shkrimtarit Ismail Kadare, dramatizuar dhe vënë në skenë nga regjisori Fatos Haxhiraj do të interpretohet nga stafi i aktorëve: Ndriçim Xhepa, Bujar Asqeriu, Artan Imami, Ahmet Pasha, Naun Shundi, Anastas Kristofori, Mehdi Malka, Guri Koço, Marjana Kondi, Erjona Kakeli, Pirro Malaveci, Andon Qezari, Merkur Bozgo, Sokol Angjeli, Bajram Dosti, Gjergji Mena, Dritan Boriçi, Marsiaz Lila dhe Anil Frashëri .
Skenografia është realizuar nga Taulant Pustina, muzika nga Ardit Gjebrea dhe kostumografia nga Durim Neziri.
Aktori Ndriçim Xhepa ngjitet në këtë shfaqje me rolin e kolonelit gjerman Fritz Von Schwabe, një rastësi e çuditshme me një personazh tjetër si gjenerali tek vepra “Kthimi i ushtrisë së vdekur” i Kadaresë. I rikthehet skenës së teatrit aktori Artan Imami, i cili në këtë shfaqje interpreton hetuesin. “Vendosa të kthehesha, se është një fat i madh për mua të luaj një vepër të Ismail Kadaresë”- është shprehur ai gjatë konferencës.
“Darka e gabuar” është kronikë e ndryshimeve dramatike, përmbysjeve, përjetimeve të dhunshme, tragjikomedisë që kaloi Shqipëria që nga kapitullimi i Italisë, pushtimi gjerman e deri në vdekjen e Stalinit, kohë kur hidheshin themelet e “Rendit të Ri”, komunist.
I bazuar në një ngjarje të vërtetë, për të cilën janë dhënë interpretime të ndryshme, Ismail Kadare bën “autopsinë” jo vetëm të qytetit, por sidomos të periudhës historike të fillimit të vendosjes së diktaturës komuniste, këtij mashtrimi të madh, viktimë e të cilit janë në radhë të parë intelektualët. Ngjarjet ndodhin në Gjirokastër ku jeton dhe punon doktor Gurameto i madh, kirurg i qytetit, i cili ka studiuar në Gjermani.
Pararoja e trupave gjermane që futen nga Greqia për të pushtuar Shqipërinë, qëllohet nga komunistët. Si rrjedhojë qyteti bombardohet dhe në vazhdim merren peng 80 civilë.
Doktor Gurameto i madh fton për darkë komandantin nazist, Fritz Von Shvabe që ka qenë dikur shok shkolle me të. Në përfundim të Darkës pengjet lirohen dhe doktor Gurameto shihet si hero në sytë e disave, shpëtues i qytetit dhe si armik, në sytë e të tjerëve.
Kjo Darkë u bë e “Gabuar” pasi fatalisht përcaktoi kthesën në jetën e doktorit.
Fatkeqësisht, akoma edhe sot, ne nuk jemi ndarë nga ajo e kaluar e hidhur. Me qindra janë viktimat të cilët ende nuk kanë një varr ….
Dramatizimi i Kadaresë nga Fatos Haxhiraj “Darka e gabuar”, pas një konkursi në TK është shpallur fitues për pjesëmarrjen e këtij institucioni teatror në Festivalin Mbarëkombëtar të Dramës Shqipe, i cili do të zhvillohet nga fillimi i muajit qershor.
“DARKA E GABUAR" nga ISMAIL KADARE
Dramatizimi - Fatos Haxhiraj
Regjisor - Fatos Haxhiraj
Skenograf - Taulant Pustina
Kompozitor - Ardit Gjebrea
Kostumograf - Durim Neziri
Produksioni muzikor - Shpetim Saraçi
As/Regjisor - Andon Koço
Bashkëpunëtor artistik - Artan Imami
Ne role : Ndriçim Xhepa- Bujar Asqeriu- Artan Imami-
Ahmet Pasha – Naun Shundi – Anastas Kristofori – Mehdi Malka- Guri Koço – Marjana Kondi – Erjona Kakeli – Pirro Malaveci – Andon Qezari – Mërkur Bozgo – Sokol Angjeli – Bajram Dosti – Gjergji Mena – Dritan Boriçi – Marsiaz Lila – Anil Frashëri – Harilla Vjero – Florian Kokona – Klodian Hoxha – Elidon Alikaj – Ergys Dama
m.s/NOA