English

Drejtësia, Bujqësia Dhe Infrastruktura, Sektorët Prioritarë Ku Do Orientohen Fondet Ipa (2011)

- Kryeministri Berisha deklaron në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit të Strategjive - TIRANË, 12 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot, se fondet e Instrumentit të Ndihmës së Para Aderimit të Bashkimit Europian për Shqipërinë për vitin 2011 do të orientohen në fusha prioritare si drejtësia, bujqësia dhe zhvillimi i infrastrukturës në vend. Në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit të Strategjive, Kryeministri Berisha informoi se "fondet IPA për vitin 2011 janë 84.3 milionë euro, ndërkohë që po të marrim edhe komponentin e dytë shkojnë në 95 milionë euro". "Fushat më prioritare janë drejtësia dhe çështjet e brendshme. Kjo është një mbështetje e Komisionit për funksionalitetin e shtetit ligjor dhe standardet demokratike", tha Kryeministri Berisha, duke siguruar se "buxheti i shtetit duhet të njohë detyrimisht rritje të mëtejshme për këtë sektor". Fusha e dytë ku adresohen këto ndihma, sipas Kryeministrit Berisha, "është bujqësia, e cila përbën një nga potencialet më madhore të vendit, por që deri para 4 vitesh ka qenë e skajuar në investime". "Problematikat në këtë fushë janë të mëdha dhe potencialet janë ndër më të rëndësishmet për vendin. Bujqësia shqiptare ka nevojë për një përballje të shumëanshme. Ajo vuan për një treg jo dhe aq të organizuar, për një komunikim konstant midis tregut dhe prodhuesit, probleme serioze me vaditjet, cilësinë e farërave, kullimin etj", tha Kryeministri Berisha. Kreu i Qeverisë theksoi se "ka zona të tëra që nëse ofrohen disa nga këto shërbime, mund të prodhojnë tre herë në vit". Fondet IPA, sipas Kryeministrit Berisha, do të orientohen edhe për "ujësjellësa, kanalizime, rrugë rurale, rrugët dytësore dhe by-pass". "Ne vazhdojmë në mënyrën më të fuqishme përfundimin në Shqipëri të një infrastrukture moderne. Ky është një qëndrim konstant dhe gjatë këtij viti ne do të përfundojmë asfaltimin e të gjitha rrugëve që zbresin në bregdet", tha Kryeministri Berisha. Por, sipas tij, "menjëherë pas kësaj, Qeveria do të përqendrojë të gjitha potencialet për rrugët që të çojnë drejt zonave turistike malore". "Në vitin 2011 ne do punojmë me agresivitet në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës në zonat malore dhe zhvillimit të turizmit alpin", tha Kryeministri Berisha./s.s./
KOMENTE