Durrës: Kushte Të Mira Atmosferike, Lundrim Normal I Mjeteve Detare
DURRËS, 12 maj /ATSH-Gëzim Kabashi/.- Kushtet e favorshme atmosferike dhe detare si dhe moti i kthjellët do të karakterizojnë sot situatën meteorologjike në rajonin e Durrësit.
Burime nga kapiteneria e portit bënë të ditur për ATSH-në se tre tragete me udhëtarë dhe kamionë që mbërritën nga Bari (Itali) po ankorohen njëri pas tjetrit në kalatat e portit më të madh të vendit, ndërsa po sot paradite nga Durrësi drejt Barit do të udhëtojë edhe katamarani "San Guan", i cili ka nisur lundrimet vajtje ardhje brenda ditës dy herë në javë.
Era që vazhdon të fryjë e lehtë nga veriu dhe veriperëndimi do të ndikojë në qëndrueshmërinë e kushteve të mira të motit dhe të detit, shtuan burimet e kapitenerisë së portit.
Në kalatat portuale ka nisur përpunimi i anijeve tregtare me mallra dhe kontejnerë, ndërsa falë kushteve të mira detare trafiku i mjeteve lundruese parashikohet në hyrje dhe dalje të portit detar të vijojë pa probleme.
Sipas burimeve të kaitenerisë, motopeshkatoret e sektorit të Durrësit vazhdojnë gjuetinë nga grykëderdhja e Semanit në jug deri në atë të Bunës në veri./s.s./