English

Edi Rama: Nuk tërhiqemi nga transparenca

Tiranë, 12 maj, NOA Update - Opozita është e palëkundur për të realizuar me çdo kusht transparencën e zgjedhjeve dhe kjo betejë nuk bëhet aspak për ta ndarë popullin në të majtë e në të djathtë, por i shërben atij dhe së ardhmes që ai kërkon të ndërtojë.

Me këto fjalë, kryetari i PS-së Edi Rama ka përforcuar edhe gjatë daljes së sotme para protestuesve socialistë bindjen dhe qëndrimin e opozitës për t’i shkuar deri në fund kauzës për të cilën ajo ka ndërmarrë edhe masën ekstreme të grevës së urisë.

"Ne jemi këtu me vullnetin tonë të palëkundur dhe me kurajon e rezistencën në kërkim të transparencës së zgjedhjeve. Kutitë duhet të hapen pasi do të hapin rrugën drejt Europës”, theksoi ai.

"Berisha shprehet i shqetësuar për bllokimin e rrugëve dhe thotë që kjo i lëndon qytetarët por unë kam takuar shumë qytetarë të cilët janë solidarë dhe e shohin protestën me syrin e shpresës që do të hapet një rrugë e re për ta", theksoi Rama.

Nga ana tjetër, Rama gjithashtu i ka bërë apel Policisë së Shtetit që mos të provokojë protestuesit.

Lidhur me një fakt të tillë, ai u shpreh se “policia duhet të jetë në krye të detyrës dhe jo të ngarkohet për t’iu përgjigjur tekave të këtij pushteti”, përfundoi kryetari i PS-së.

n.e/NOA

KOMENTE