English

Ekstradohet për në Gjermani turko-gjermani i kapur me drogë

Tiranë, 12 Maj NOA - Ekstradohet turko-gjermani i kapur me drogë në Shqipëri, pas një marrëveshjeje me palën gjermane nënshkruar për vendin tonë nga Policia e Shtetit. Ekstradimi i 29-vjeçarit Mahmut Goek, shtetas turk lindur më 21.04.1981, në Biberach, Gjermani, u bë mesditën e sotme përmes aeroportit të Rinasit, nën masa sigurie.

Zyra e Prokurorit të Ravensburg, Gjermani, me Urdhrin e Arrestit nr. 6Gs 49/05, datë 25.10.2005, kishte shpallur në kërkim ndërkombëtar turko-gjermanin, për veprën penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike“ disa herë, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 25/2, 52 dhe 53 të Kodit Penal Gjerman si dhe nenit 30/1 dhe 29/a/1/2, të ligjit Gjerman “Për substancat narkotike“.

Nga periudha Janar deri në Tetor 2005, 29-vjeçari Mahmut Goek është marrë me shitjen e sasive të mëdha të kanabisit në Biberach, Gjermani. Lëndën narkotike ai e siguronte së bashku me një shtetas gjerman në Holandë.

Arrestimi me qëllim ekstradimi i 29-vjeçarit Mahmut Goek është bërë në datën 17.02.2010, si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Wiesbaden dhe me Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar, njoftoi Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

r.n/NOA

KOMENTE