Tiranë, 12 maj, NOA – “Sali Berisha nuk na thotë ndonjë gjë të re sa i përket dukurisë së korrupsionit. Vjet në shtator, pikërisht organizata TIA për shkak të këtij korrupsioni galopant, i tregoi gjithë botës se ai është rritur dhe se Shqipëria ka humbur dhjetë vende në klasifikimin botëror të transparencës dhe të korrupsionit”.
Ky ka qenë reagimi i deputetit të Partisë Socialiste, Erjon Braçe, ndaj deklaratave të kryeministrit Berisha lidhur me dekoratat e këtij të fundit mbi uljen e korrupsionit në Shqipëri, mbajtur gjatë konferencës së Transparency International.
“Ajo që ne duam të nënvizojmë, ka të bëjë me faktin se kultura e pandëshkueshmërisë, po thellon korrupsionin në këtë vend”, shtoi Braçe.
Duke thënë më tej, se “kriza politike që ne po jetojmë, zgjidhja e munguar e krizës politike, vjen pikërisht nga kjo arsye. Janë hajdutët pranë Sali Berishës, janë klientët e tij po prapë hajdut dhe përfitues nga keqpërdorimi i pushtetit, janë një rreth akoma dhe më i gjerë njerëzish të lidhur me klientët dhe me qeverinë e Sali Berishës, që nuk e lejojnë atë t’i japë zgjidhje krizës”.
n.e/NOA