English

Fier: Nis Projekti- Pilot Për Zbutjen E Papunësisë, Sipas Modelit Anglez

FIER, 12 Maj /ATSH, Rr.Isufaj/ - Zyra Rajonale e Punësimit në Fier, e para në shkallë vendi që do të zbatojë modelin anglez për zbutjen e papunësisë është përzgjedhur nga qeveria për të aplikuar projektin pilot të "Klubeve të punësimit", i cili rrit shkallën e informimit dhe kualifikimit të punëkërkuesit. "Zyra e Punës krahas ndërmjetësimit për punësim, orientimit për punësim profesional, shërbimeve të ndryshme, ofron edhe këshillimin, i cili tani kalon në një nivel më të lartë përmes këtij projekti për hapjen e klubeve të punës. Të gjithë punëkërkuesit e regjistruar në zyrën e punësimit do të këshillohen dhe trajnohen se si do ta kërkojnë vëndin e punës," tha sot për ATSH-në, përgjegjësja e projektit pranë DRP Fier, Miranda Veliaj. Sipas saj, të gjithë të interesuarit për punësim që nuk kanë mundur dot të punësohen nëpërmjet ndërmjetësimit të zyrës së punës, tashmë di të kenë një mundësi më shumë, duke frekuentuar klubet e punës. Në klubet e punës, sipas Veliajt, mësohet përgatitja e informacionit personal profesional (Curriculum Vitae), paraqitja e kurrikulave pranë punëdhënësve, paraqitja në intervista pune etj. Ky projekt, thotë ajo, ka nisur prej dy javësh. "Janë krijuar dy grupe, ku njëri përbëhet me rreth 13 gra dhe vajza të profesioneve të ndyshme, ndërsa i dyti nga 9 qytetarë romë. Grupet marrin rreth 3 orë leksione mbi mënyrën e gjurmimit të vëndeve të lira të punës, përgatitjes së anës proceduriale, aftësimit për procesin e intervistës dhe prezantimit të vlerave profesionale", tha Veliaj. Sipas saj, ky projekt rrit më shumë shkallën e interesimit dhe i bën më të drejtpërdrejta lidhjet e punëkërkuesit me punëmarrësit. "Fieri është një qark i madh dhe me veprimtari të gjerë ekonomike. Një organikë e reduktuar e Drejtorisë e Punës nuk mund të grumbullojë dot të gjithë informacionin e duhur për biznesin dhe subjektet që kanë vënde të lira pune dhe as për shkallën e kualifikimit të të gjithë punëkërkuesve. Projekti i ri u jep shansin të gjithë punëkërkuesve që nëpërmjet leksioneve në klubet e punësimit, të aftësohen dhe të jenë në gjëndje të bëjnë për punësimin e tyre, atë që mund të bënin inspektorët e zyrës së punës", tha Veliaj. Sipas Veliaj, pranë DRP, Fier, numërohen rreth 9200 punëkërkues. Për vitin e kaluar papunësia u reduktua me rreth 1000 vetë./ch/
KOMENTE
  • afaristet e rinje21:44 - 19 Janar 2012
    projektin tuaj e kemi pelqyer shume , eshte nje gje mire e menduar poer zbutjen e papunesise , ky model angles per zbutjen e papunsise ka nevoje te praktikohet edhe te ne ne kosove , sepse ka kapluar nje krize papunsie dhe te papunsuarit sidomod te rinjet ketu iu nevojitet nje pregatitje paraprake si dhe ndermjetesimi mes te papunsuarve deri tek ndermarrja nepermjet nje zyre ndermjetesimi . e vleresojme shume projektin tuaj , dhe ju lutemi qe nese e lexoni kete shenim , iu kishim lutur qe te na informoni me shume rreth dokumentacioneve te nevojshme per te filluar kete projekt ,. me respekt : afaristet e rinje ADD: transwhen@hotmail.com KOSOVE