English

Havzi Nela; Poeti I Fjalës Se Lirë

KUKËS, 12 maj/ATSH-R.Hoxha/ - "Gratë e kësaj zone në dimër nuk mund të mbajnë rrobe allafrënga, ndërsa xhamitë nuk i bëjnë kujt keq," deklaroi në fund të viteve gjashtëdhjetë poeti Havzi Nela, nga fshati Kollovoz, Kukës, në një mbledhje të popullit në Shishtavec, ku ai punonte si mësues. Qysh atëherë, ndaj tij nisi përndjekja e egër e regjimit komunist, e cila mori fund me varjen e poetit në litar, në një prej shesheve të Kukësit, më 10 gusht të vitit 1988. Sistemi komunist kishte nisur të shkërmoqej, ndërsa poeti, i cili pak dite me pare u shpall "Nder i kombit", nga presidenti i Republikës, ishte kurbani i fundit në të gjithë Evropën. Veç medaljes "Nderi i Kombit", Havzi Nela ka edhe titullin "Martir i demokracisë" , por, nëse do të kishte jetuar, në 22 vjetë që nga vdekja e tij, shoqëria shqiptare do të kishte përfituar shumë tituj. Jo tituj nderi, por librash nga dora e një prej poetëve të saj më kurajozë, që vdiq 54 vjeç. Ai u përndoq egërsisht thjesht për idetë e mospajtimin e tij, por edhe për poezitë që binin ndesh ndjeshëm me realizmin socialist. Në vitin 1994 eshtrat e tij u rivarrosën në fshatin e indjes, në Kollovoz, Kukës. Shkolla e mesme e përgjithshme e Kukësit mban emrin e tij. Ai ishte i martuar, por nuk arriti të ketë fëmijë. Tentoi të arratisej në Jugosllavi, por e kthyen së bashku me gruan, Lavdijen. I kthyen pas disa ditësh me furgonin burg në bazë të një marrëveshjeje mes dy shteteve. Të dy u dënuan. Lavdia pas burgut jetoi si punëtore në Kalimash, Havziu më shumë burg, por edhe internim, në Arrën. U ndanë së gjalli. Lavdia ende është gjallë, edhe pse thotë se, "vështirë se mund të shërohen plagët e shpirtit, apo se mund të ringjallet jeta". Rivlerësimi i poetit, në fakt, është një farë ringjallje. Havziu u var rreth orës 02 të datës 10 gusht, ndërsa trupi i tij i pajetë u la ashtu deri në orën 10. U la të shihej e t'u shtinte tmerrin të gjithëve. Poezitë e tij të janë përmbledhur në një libër. Është botuar edhe një libër për jetën e tij. Gjithçka nisi në një mbledhje fshati, ku Havziu, veç të tjerave, tha: "Tre gjilpana përnjëherë njeriut nuk i bëjnë mirë". Tri gjilpanat ishin: prishja e xhamive, ndryshimi i veshjes dhe kooperativizmi. Kur kaloi kufirin, poeti shkruajti këto vargje: "Lamtumirë atdhe i dashur/ po të le me zemër të plasur". Havziu sot do të ishte 76 vjeç. Lindur në Kollovoz në vitin 1934 mbaroi Institutin Pedagogjik të Shkodrës dhe nisi punën në një prej fshatrave të Matit, prej të cilit përjashtohet për krijimtari letrare "të dënueshme". Pas shërbimit ushtarak punon si mësues në zona të ndryshme të Kukësit. Viti 1967 ishte për Havziun viti fatal. Ai i transferuar me punë në Topojan kundërshton hapur fushatat e saj kohe për kolektivizimin, prishjen e institucioneve fetare e ndryshimin e veshjes së grave. Pas përfundimit të burgut, ai internohet në Arrën, një prej fshatrave më të thella të rrethit të Kukësit. Duke qenë i internuar e pa lejen e organeve të policisë niset për në fshatin e lindjes dhe në mëngjesin e 15 qershorit 1988 arrestohet në fshatin Brekijë. Fati i tij ishte i përcaktuar. Në momentin e ndalimit ai kishte një pistoletë me të cilën plagosi edhe një polic. Thuhet se në seancën gjygjësore deklaroi. "Nuk qëllova mbi policin, të cilit i kërkoj falje, por mbi shtetin". Gjyqi ishte i shkurtër, ndërsa dënimi: me varje. Ankimimi në gjykatën e lartë nuk solli asnjë dobi. Pa kaluar 3 vjet nga vdekja e tij, nisi të dalë e vërteta për jetën e këtij "Martiri të Demokracisë" e "Nder i Kombit"./ch/
KOMENTE