Tiranë, 12 maj, NOA – Hotel “Dajti”, i cili prej vitesh i është nënshtruar një procesi të vërtetë peripecish për shitjen e tij, më në fund është vendosur që t’i shitet Bankës së Shqipërisë për një shumë prej 30 milionë eurosh.
Lajmi konfirmohet nga Këshilli i Ministrave, i cili ka marrë sot vendimin përkatës për realizimin e këtij transaksioni të rëndësishëm, lidhur me këtë pronë të paluajtshme të shtetit që ndodhet në një pikë strategjike të kryeqyteti.
Kështu, duke u bazuar në ligjin 8743, të datës 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, qeveria vendosi shitjen e pronës shtetërore “ish-Hotel Dajti” Bankës së Shqipërisë, me përdorim vetëm për qëllime administrative dhe për çdo funksion tjetër, në shërbim të këtij qëllimi, i cili nuk dëmton vlerën monumentale të pronës.
“Këshilli i Ministrave do të ketë gjithsesi në çdo rast, të drejtën e parablerjes së pronës, objekt i këtij vendimi, në rast shitjeje nga Banka e Shqipërisë”, sqaron ndër të tjera vendimi i qeverisë.
n.e/NOA.