Infermierët-Vasili: Roli I Tyre Në Sistemin Shëndetësor E Pazëvendësueshme
- Në Konferencën e II-të Kombëtare të Urdhrit të Infermierit -
TIRANË, 12 Maj/ATSH-Eriola Çuko/ - Profesioni i infermierëve dhe pesha e madhe që ata kanë në sistemin shëndetësor është tashmë e padiskutueshme. "Kjo duket jo vetëm tek shifrat, por dhe tek raporti që krijohet midis pacientit dhe sistemit shëndetësor, vlerësimi për të cilin shpesh herë kalon nga raporti që krijohet midis infermirëve, pacientëve dhe familjarëve", tha sot ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, në Konferencën e II-të Kombëtare të Urdhrit të Infermierit, i mbajtur në Hotel "Tirana International".
Sipas tij, "çdo lloj reforme e ndërmarrë, në rast se ky raport nuk do të funksionojë nuk mund të shkojë përpara, ndaj vëmëndja dhe kujdesi ynë do të mbetet i pandryshuar dhe në rritje për këtë profesion". "Ne kemi hyrë në një proçes të ri, që do të pasojë në javët që vijnë në vlerësimin e cilësisë së strukturave shëndetësore, akreditimin e tyre. Pa një sistem infermieror, pa infermierë që kryejnë detyrat brenda parametrave shkencorë dhe profesionalë të tyre, do të dëmtohej shumë dhe cilësia e strukturave tona", tha Vasili.
Ministri i Shëndetësisë u ndal në etikën e infermierëve, duke theksuar se "një fjalë e pakujdesshme është në gjendje të krijojë një kompleks psikologjik që bën të harrohet sakrifica, puna dhe interventi i vështirë. Ky profesion është profesioni i sakrificave të mëdha, ndaj kush bashkëjeton me sakrificën është një infermier i mirë".
Duke u ndalur në nivelin profesional të infermierëve, i lidhur ngushtësisht me atë të mjekëve, Vasili nënvizoi se "formimi profesional i infermierëve duhet të jetë kërkesë e pandalshme".
Kujdesjet infermierore, sipas Kryetarit të Urdhrit të Infermierëve, Sabri Skënderi, përbëjnë "70 % të kujdesjeve shëndetësore në Shqipëri dhe rëndësia e tyre në shërbimin shëndetësor është shumë e madhe, si nga shtrirja, ashtu edhe kohëzgjatja në shërbim të publikut". Roli i tyre është i pazëvendësueshëm dhe në drejtim të profilaksisë, të vaksinimit, si dhe të edukimit shëndetësor të popullatës.
Në shumë zona të vendit, kujdesi shëndetësor është i barabartë me atë infermieror. Aktualisht, në vend numërohen rreth 14 mijë punonjës të kujdesit infermieror, që përbëhen nga infermierët, mamitë dhe fizio-terapistët, laborantët dhe teknicienë të tjerë mjekësorë.
Ndërkohë, Urdhri i Infermierit është duke përfunduar grumbullimin e dokumentacionit profesional për të gjithë profesionistët e kujdeseve, për krijimin e një regjistri elektronik, i pari i këtij lloji në Shqipëri, dhe shumë i domosdoshëm për të gjitha institucionet shëndetësore për hartimin e politikave dhe strategjive për burimet njerëzore në të ardhmen./s.s./